Thyerësit e heshtjes

Palestinezët dhe ushtarët izraelitë qëndrojnë të qetë pranë njëri-tjetrit. Fytyrat i kanë të buzëqeshura, dhe e gjithë pamja rrezaton me qetësi dhe harmoni. Fotografitë si kjo nuk janë bërë në ndonjë zonë të okupuar palestineze, dhe ato në asnjë mënyrë nuk e reflektojnë realitetin. Këto janë fotografi që shpeshherë mund të shihen në mediat izraelite. Se si realiteti duket në të vërtetë, gjegjësisht, se si duket “ana e errët e okupimit izraelit”, mund të shihet në fotografitë e organizatës izraelite Breaking the Silence, të ekspozuara këtyre ditëve në galerinë Willy-Brandt, në Berlin.
Organizata Breaking the Silence është themeluar më 2004, me qëllim të mbledhjes së fotografive dhe rrëfimeve të ushtarëve nga zonat e okupuara, ku ata tregojnë përvojat e tyre për atë që kanë parë (ose që kanë bërë).
Dëshirë e tyre është që këto fotografi dhe rrëfime të arrijnë deri te opinioni i gjerë izraelitë, dh deri te ndërgjegjja e atyre që “ende s’e kanë të qartë se vlerat morale në zonat e okupuara janë vënë në pikëpyetje, ndërsa nënçmimet dhe keqtrajtimet e palestinezëve janë përditshmëri...”.
“Si ushtar, detyrë e jotja është të dyshosh në çdokënd. S’ka lidhje se a bëhet fjalë për një fëmijë, burrë apo grua plakë. Ne ata nuk i shohim si njerëz, sikurse ne, por si armiq. E kjo e shkatërron moralin”, shprehet Tal Wasser, një ish-pjesëtare e ushtrisë izraelite, fotografitë e së cilës janë pjesë e ekspozitës “Breaking the Silence” (Thyerja e Heshtjes). Wasser është njëra nga tre ish-ushtarët izraelitë që, përveçqë i përcjellin vizitorët e ekspozitës, flasin haptas edhe për përvojat e tyre. Thotë se sot ndjehet keq kur kujton momentet kur “nga monotonia, dhe shkaku i presionit të kolegëve, i keqtrajtoja palestinezët dhe qëllimisht dhe pa kurrfarë baze i akuzoja për diçka”.
“Shpeshherë ishte prezente në ngjarje të tilla, por kurrë nuk flisja për to. Nuk dëshiroja të hyja në konflikt me të tjerët, sepse, me ta më duhej të kaloja nga tetë orë në ditë”, tregon Tal për ish-kolegët e saj.
Fotografitë dhe rrëfimet e mbledhura nga Breaking the Silence mund të cilësohen si “lojëra të pista’, të cilat i di mirë secili ushtar izraelit, por askush nuk dëshiron të flas për to. Protokollet e ekspozuara dëshmojnë për “udhëzime” shokuese të punës. Ato nuk japin udhëzime të qarta se ç’të bëhet me palestinezë, por vetë fakti që s’ka rregulla të shkruara flet mjaft. Për shembull, në galeri janë ekspozuar çelësat e veturave private, pronarë të cilave janë palestinezët e ndaluar në pika kontrolli.
„Nuk ka rregulla – ndonjëherë dikush ndalet vetëm për shkak se ka buzëqeshur, ndonjëherë për shkak se s’ka buzëqeshur. E shpeshherë, vetëm për shkak se nuk i ka pëlqyer ndonjë ushtari. Pra, varet nga ushtari se kë do ta lëshojë ta vazhdojë rrugën e kë jo”, sqaron Tal Wasser.
Rrëfimi i 24-vjeçarit Nadav Bigelman, i cili po ashtu përcjellë vizitorët nëpër ekspozitë, është edhe më shokues. Ish-rezervisti i ushtrisë izraelite, si pjesëtar i njësiteve elite shpeshherë merrte pjesë në aksionet e okupimit të shtëpive dhe pronave private palestineze.
“Ndërhynim kryenëvete nëpër shtëpi, e familjarët i mbyllnim në ndonjë hapësirë, ose s’i linim të hynin në shtëpinë e tyre. Zakonisht, ushtarët vidhnin diçka, vizatonin grafite nëpër mure... dikush edhe përshurrte në dysheme të dhomave. Natyrisht, këto ishin raste ekstreme, por atëherë kur shpitët i linim ashtu si i gjenim, këto aksione zhvilloheshin me qëllim të okupimit. Ky është vetë thelbi i tyre”, tregon ai.
Dana Golan, e cila dikur punonte në njësitin e edukimit të policisë dhe ushtrisë kufitare, sot është udhëheqëse e organizatës Breaking the Silence. Sipas saj, s’mund të flitet për moral në një situatë amorale.
“Prandaj, qëllimi i punës sonë edhe është përfundimi i okupimit të zonave palestineze. Por, kjo është diçka për çka në Izrael nuk flitet me qejf”, thotë ajo.
Organizata e saj sot përballet me sulme të hapura nga ana e Qeverisë së Izraelit, sipas së cilës Breaking the Silence po e ndihmon terrorizmin.
“Përkundër të gjithave, ne nuk jemi një organizatë anti-ushtarake. Sigurisht që Izraelit i duhet një ushtri, por jo një ushtri okupuese”, shprehet Dana Golan.
DW