Zbulohet parcela me hashash në Farkë
TIRANË- Një parcelë në të cilën ishin mbjellë rreth 17 rrënjë të bimës së kanabisit, është zbuluar dy ditë më parë nga policia, ndërsa ajo ka nisur kërkimin për zbulimin e autorëve të mbjelljes së kanabisit.
Parcela është gjetur në fshatin Lundër, pjesë e Komunës Farkë e Madhe, ku kultivuesit e saj, kishin vendosur të mbillnin bimët që dyshohet se janë narkotike, në një pyll pa pronar. Pas zbulimit të parcelës me bimë kanabisit, policia ka nisur edhe asgjësimin e saj. Një veprim i tillë është kryer nga Seksioni i Antidrogës në policinë e Kryeqytetit në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 1. Sipas policisë, lokalizimi i parcelës së mbjellë me bimët narkotike është bërë nga oficerët e Seksionit të Parandalimit të Krimit, në Komisariatin nr. 1.
Nga të dhënat e policisë, mësohet se kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve të bimëve që dyshohet se janë të llojit kanabis sativa. Vetëm disa ditë më parë, Policia e kryeqytetit sekuestroi në një fshat të Komunës Kashar rreth 90 bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Edhe në këtë rast ashtu si në rastin e Farkës, kultivuesit sipas burimeve të policisë kishin mbjellë bimën në një territor pa pronar.