E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqimi lë aventurën brenda "Big Brother"

Shkëlqim Broshulli ka lënë dje aventurën dymujore në shtëpinë e "Big Brother". Pas një jave të mbushur me akuza për thashetheme kundër tij, ai nuk ka mundur t‘i shpëtojë nominimit dhe pse ishte një ndër lojtarët e fortë brenda shtëpisë. Çimi është 37 vjeç dhe është i martuar me dy fëmijë. Ai ishte një ndër banorët më të mëdhenj të shtëpisë. Çimi ka shërbyer për shumë kohë në Policinë e Shtetit, me funksione të ndryshme. Ai ka bërë edhe disa specializime për profesionin e tij, si në Marsejë të Francës dhe në Londër. Është larguar nga forcat e rendit, pasi u dënua me 4 muaj burg për shpërdorim detyre, dënim i cili rezultoi i pavlefshëm, pas marrjes së pafajësisë. Më pas, ai zgjodhi rrugën e shoqërisë civile në mbrojtje të të drejtave të njeriut, duke u bërë sekretar i përgjithshëm i një shoqate për mbrojtjen e të drejtave të romëve në Shqipëri. Shkëlqimi është i martuar dhe ka dy fëmijë. Kur hyri në shtëpi, ai u shpreh se një prej arsyeve të hyrjes së tij në shtëpi ishte lançimi i mesazheve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Përveç konflikteve, javët e fundit me Rominën, ditët e Shkëlqimit brenda shtëpisë kanë qenë dhe plot me momente të bukura. "Këtu mësova shumë gjëra për të qenë një prind shumë i mirë nesër dhe gjëja më e bukur është ajo që më pret jashtë", u shpreh Çimi, pak para se Arbana t‘i komunikonte që ishte ai banori që do të largohej nga shtëpia. Ai ka zgjedhur Astritin si shoqërues për të dalë nga shtëpia, i cili pas daljes së Çimit nuk i ka kursyer as lotët.

Çimi tha se nuk donte të dilte, megjithëse momentet që kishte kaluar brenda shtëpisë ishin vërtet të bukura. Ai u shpreh se tashmë do të kalonte pak kohë me familjen, se i ka munguar shumë, pastaj do t‘i rikthehej punës.

Ndërkohë, spektakli i mbrëmshëm ka qenë i mbushur plot surpriza e rrëfime. Të ftuar si gjithnjë në studio kanë qenë opinionistët Armand Peza dhe Mevlan Shanaj, si dhe banorët e larguar nga shtëpia e "Big Brother". Ata kanë pranuar se tre të nominuarit kanë qenë lojtarë të fortë brenda shtëpisë.

Dy banoret e reja brenda shtëpisë së "Big Brother" i kanë rrëfyer Arbanës se kjo javë brenda shtëpisë ka qenë shumë e mirë për to. "Java ka kaluar pa u kuptuar fare, ia kemi kaluar shumë mirë", ka thënë Dorina. Të njëjtën gjë ka pohuar edhe Jonida. Julinda, e larguara e javës që shkoi, ka treguar se java e parë jashtë shtëpisë ka qenë e bukur dhe e ngarkuar për të. "Kam takuar familjen, miqtë e mi, të cilët më kanë pritur shumë mirë", tha ajo.

Një moment i bukur për banorët gjatë spektaklit të mbrëmshëm ishte edhe prova që Vëllai i Madh i kishte dhënë për këtë javë. Banorët, të ndarë në dy grupe, kanë interpretuar dy këngë, një të Big Mamës "Video seksi" dhe të Vesa Lumës "Jemi dhe s‘jemi".

Këngët janë shoqëruar nga një performancë videoje të improvizuar. Romina dhe grupi i saj, i përbërë nga Poli, Besa, Çimi, ka interpretuar këngën e Big Mamës, ndërsa Jonida, e shoqëruar nga Arbri dhe Astriti, ka interpretuar këngën e Vesës.

Para se dy grupet të dilnin në oborr dhe të interpretonin këto dy këngë të kthyera në hite, ata janë surprizuar kur në shtëpi kanë hyrë dy këngëtaret Big Mama dhe Vesa Luma.

Të dyja grupet kanë treguar një performancë interesante, çka është vlerësuar jo vetëm nga dy këngëtaret prezente, por edhe nga Vëllai i Madh, i cili e ka deklaruar foton të fituar. Kështu, këtë javë banorët do të kenë 50% më shumë të buxhetit.

Gjatë spektaklit është treguar edhe një video mbi dhuratat e bamirësisë, që banorët brenda shtëpisë kishin bërë për fëmijët në kopshtin Marqinet afër Gërdecit.

Vëllai i Madh kishte rezervuar dje një surprizë edhe për Najadën. Në dhomën e rrëfimit ajo ka parë një videomesazh dy motrat dhe të ëmën. Ato e kanë uruar Najadën për lojën, duke iu thënë se i mungonte shumë. E ëma i tha se këtë 8 mars i kishin munguar trëndafilat e saj. Në këto momente edhe Noçja është e emocionuar, duke shtrënguar lotët. Arbana i kërkon Najadës t‘i thotë një mesazh të ëmës dhe ajo i thotë se "jam shumë e lumtur që kam një mama si ajo, që më ka mbështetur gjithnjë dhe e di që vazhdon ta bëjë. E dua shumë dhe më mungojnë bisedat e saj". Ndërsa këshilla që e ëma i dha Najadës kur Arbana e pyeti në kishte ndryshuar mendim lidhur me marrëdhënien e saj me Olsin, ajo u shpreh: "I uroj Najadës të mos bjerë në dashuri", duke lënë të kuptohet se kjo ndjenjë është aq e bukur, por edhe aq robëruese.

Një tjetër surprizë ka përjetuar edhe Poli, i cili në magazinë gjen Inën, e cila i jep bluzën që i ka munguar.

Banorët kanë përjetuar dhe një darkë me tavolinën e mbushur plot nga restorant "Austria", nën shoqërimin e disa muzikantëve, si dhe produktet e Artdeco.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›