Tifozët Kuq e Zi: Federata të jetë transparente me ne!
Shqipëri, Kosovë dhe diasporë: Vendimi për bojkotin e kombëtares do të jetë në unison
Në çdo ndeshje të kombëtares, në tribunën D1 bie në sy dekori i mrekullueshëm i një tifo-grupi të madh, i quajtur Tifozët Kuq e Zi. Ata vijnë nga të katër anët e Shqipërisë, nga Kosova, Maqedonia, Mali e Zi, madje edhe nga vende të ndryshme europiane, ku jetojnë dhe punojnë komunitete shqiptarësh, emigrantë apo të shqiptarë që kanë marrë pasaportat e shteteve ku jetojnë.
Dy ditë më parë, ky tifo-grup, në një komunikatë për shtyp, ka mbajtur qëndrim zyrtar kundër FSHF-së, për shkak të mosarritjes së marrëveshjes me Besnik Hasin, ish-kandidat për stolin kuqezi, duke shkuar deri në ekstrem: Nuk do të jemi në stadium në përkrahje të kombëtares deri në një vendim të dytë.
A do të jenë Tifozat Kuq e Zi në stadium për dy ndeshjet e radhës miqësore me Azerbajxhanin dhe Maqedoninë? Kjo mbetet për tu parë, pasi presidenti Duka ka reaguar, duke sqaruar gjithçka në lidhje me marrëveshjen e munguar me Besnik Hasin.
Tifozët, në unison Si funksionon tifo-grupi Tifozët Kuq e Zi dhe si i merr vendimet? Sporti shqiptar ka komunikuar me njërin nga anëtarët, Albi Lamajn, përfaqësues në Tiranë, i cili ka shpjeguar mënyrën se si është marrë vendimi për të braktisur kombëtaren: Ne nuk kemi një kryetar, apo disa drejtues, por jemi të gjithë njëlloj, nga Shqipëria, Kosova etj.
Bisedojmë në forumin tonë, debatojmë, hedhim mendime dhe marrim vendime, siç është rasti i deklaratës për të bojkotuar ndeshjet e kombëtares, të cilën e keni publikuar edhe ju. Të jeni të sigurt që ai është një vendim i marrë nga të gjithë ne, pra është përpiluar pasi është diskutuar gjatë në forumin tonë. Vendimi i Tifozëve Kuq e Zi përqafohet nga të gjithë anëtarët e tifo-grupit.
Tifozët nga Kosova janë janë shprehur se nëse qendra, që është më Tiranë, e ka marrë këtë vendim, ne sigurisht që do ta zbatojmë. Kjo do të thotë se deklarata dhe vendimi për bojkot nuk janë spontane, të tifozëve të veçantë, por të shumicës dhe pritet të zbatohet nga të gjithë, nëse Tifozët Kuq e Zi nuk dalin me një vendim të dytë.
FSHF, jotransparente Mungesa e Tifozëve Kuq e Zi në stadium sjell shqetësim të madh për institucionin e futbollit. Një ndeshje futbolli e kombëtares pa tifozë nuk do të kishte kuptim. Presidenti Armand Duka, i pyetur për këtë vendim, ka reaguar, duke zbuluar se ka bërë gjithçka që Besnik Hasi të ishte në krye të Shqipërisë, madje ia ka plotësuar të gjitha kushtet, edhe atë të kohëzgjatjes së kontratës (4-vjeçare). E pra, nuk ka asnjë arsye që tifozët tia hedhin fajin FSHF-së.
Kjo mund të jetë e vërtetë, ndoshta Duka nuk ka asnjë përgjegjësi në marrëveshjen e munguar me Hasin, por ne, tifozët e kombëtares, duhet të informohemi në mënyrë transparente nga FSHF. Nëse ka refuzuar Hasi, pse nuk ka mbajtur qëndrim publik presidenti Duka? Ne bisedojmë shpesh privatisht me zyrtarë të FSHF-së edhe për lojtarët që mund të kontribuojnë për kombëtaren, por që nuk pranojnë të vishen kuqezi, por gjithçka duhet të jetë transparente, të bëhet e ditur për të gjithë tifozët, ka shpjeguar më tej Albi Lamaj, përfaqësues i Tifozëve Kuq e Zi në kryeqytet.
