E Diel, 1 Nëntor 2026

S.Braho: Detyra e parë e Luftëtarit, qëndrimi në Superligë

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Drejtori teknik i klubit gjirokastrit, Sefedin Braho, thekson se ecuria e ekipit do të varet nga financimi dhe blerjet që do të bëhen

Luftëtari ka arritur zenithin e tij sezonin 1977-1978, kur doli nënkampion i vendit, ndërsa tani, në fund të sezonit 2011-2012, u shpall kampion i Kategorisë së Parë. Nga ekipi që shkaktoi tronditje në atë sezon dhe disa pas tij, njëri ishte magjistari, Mjeshtri i Merituar i Sportit, Sefedin Braho, aktualisht në rolin e drejtorit teknik te Luftëtari.

Në Gjirokastër, nga ekipi i 1978-ës ndodhen edhe Th.Kalluci, A.Boni, L.Seiti, Dh.Shoni, R.Lamaj, N.Guri dhe B.Shameti, por që në rastin më të mirë janë vetëm shikues. P.Kamberi dhe P.Ksera ndodhen jashtë vendit, kurse H.Braho ka ndërruar jetë. Këta ishin gjirokastritët, me trajnerë H.Hitajn (në Tiranë) dhe M.Çaron (jashtë vendit), kurse lojtarët nga qytetet e tjera ishin M.Gurma, B.Kasmi, G.Sherko, S.Curi dhe D.Qypi.

Pra, ishin 16 lojtarë dhe 2 trajnerë, gjë që sot duket e pabesueshme, sepse ishin aq pak dhe bënë aq shumë, ndërkohë që sezonin e fundit u aktivizuan plot 27 lojtarë (11 jabanxhinj) dhe 6 trajnerë (1 jogjirokastrit). Sefedin Braho, drejtori teknik i Luftëtarit, thekson në intervistën e mëposhtme se objektivi parësor i ekipit do të jetë qëndrimi në Superligë.

Z.Braho, Luftëtari doli kampion i Kategorisë së Parë dhe sezonin e ri do të luajë në Superligë. Pa dyshim një gëzim i madh, apo jo?

Vërtet që u gëzova shumë, jo vetëm si gjirokastrit, por edhe si ish- futbollist i tij dhe aktualisht drejtor teknik. Që para fillimit të kampionatit dhe gjatë tij është bërë një punë profesionale dhe e admirueshme, si nga Hysi fazën e parë, ashtu edhe nga Dede në të dytën. Çdo gjë u bazua në financimin e realizuar nën kujdesin e kryebashkiakut Flamur Bime dhe donatorit Qazim Muho.

Si rezultat,  në ekip erdhën gjirokastritët Devolli dhe Nora, por edhe disa të tjerë  mjaft të mirë për Kategorinë e Parë dhe me perspektivë, siç janë Selimaj, Raboshta, Baci, Hithi, Mersini, Çaço dhe Ramadani, ndërkohë që u zbulua dhe Lluka, i cili hyn në këtë grup, por tani kemi përpara një detyrë edhe më të vështirë.

Cila është kjo detyrë?

Qëndrimi në Superligë, që në radhë të parë do një ekip shumë më të fortë se ky që u shpall kampion i së parës.

Dhe si bëhet ky ekip?

Në radhë të parë, do të seleksionohen futbollistët që ishin. Mund të ketë edhe nga ata që do të ikin vetë, për arsye të ndryshme. Së dyti, që është më kryesorja, duhen disa blerje cilësore për Superligën. Sa blerje duhen dhe se për cilët role, këtë do ta përcaktojë trajneri që do të marrë ekipin.

Sipas jush, çfarë lojtarësh i duhen Luftëtarit?

Mendimi im është se Luftëtarit i duhen lojtarë të formuar, luftarakë dhe ambiciozë. Sikundër e ka thënë edhe Dede në një intervistë të tij, duhen lojtarë të besës. Sezonin 2006-2007, kur ishim në Superligë, ekipi kishte mjaft lojtarë cilësorë, por jo të besës, kuptohet disa prej tyre, ndaj dhe Luftëtari ra në Kategorinë e Parë.

Atëherë, si e parashikoni sezonin e ri për Luftëtarin?

Parashikimi mund të bëhet, kur të kemi përpara përbërjen e ekipit,  por edhe të ekipeve të tjera. Rëndësi ka që të sigurohet fondi për të blerë ata futbollistë, të cilët do ti piketojë trajneri.

Sezonin 1977-1978 dhe për disa sezone pas tij, Luftëtari u bë një forcë reale e futbollit tonë. A mendoni se do të rishfaqet si i tillë?

Në ato vite Luftëtari pati mjaft futbollistë vendës mbi mesatare dhe disa afër më të mirëve, ndaj dhe u bë ajo që u bë. Në kushtet e sotme, që të bëhet një ekip futbolli i nivelit të mirë, së pari duhen paratë. Them se objektivi themelor për sezonin e ri është qëndrimi në Superligë dhe njëkohësisht le të shpresojmë, sepse oreksi vjen duke ngrënë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›