E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët mirëpresin Shaqirin

Xherdan Shaqiri e ka zhvilluar ndeshjen e parë me Bayern Munchenin. Mesfushori kosovar ka luajtur 90 minuta në miqësoren përballë Unterhachingut, derisa është mirëpritur nga tifozët ‘bavarezë’. Pavarësisht konkurrencës së fortë, 20 vjeçari synon të luajë sa më shumë që është e mundur me fanellën e gjigantit bavarez.

Xherdan Shaqiri të martën mbrëma e ka zhvilluar ndeshjen e parë me skuadrën e tij të re, Bayern Munchen. Futbollisti kosovar ka luajtur gjatë 90 minutave në miqësore ndaj Unterhachingut, të cilën ndeshje e fituan ‘bavarezët’ me rezultat 1:0.

Debutimi i Shaqirit është mirëpritur nga tifozët e gjigantit gjerman, të cilët vazhdimisht thërrisnin emrin e tij. Edhe pse ishte vetëm një ndeshje miqësore, ajo mbrëmje do të mbetet gjatë në kujtesën e reprezentuesit zviceran, i cili gjatë kësaj vere nga Baseli u transferua në Bayern për rreth 11 milionë euro.

“Këtë moment e kam pritur që një kohë të gjatë. Çdo fillim është i vështirë, sepse ne vetëm që një javë jemi këtu të grumbulluar. Andaj, duke pasur parasysh këtë, sa për këtë fillim jam i kënaqur. Vërtet, në këtë fillim po ndihem mirë”, ka deklaruar Shaqiri pas ndeshjes, i cili ishte i befasuar me pritjen e mirë që ia bënë tifozët bavarezë, të cilët nuk i ka lënë pa i falënderuar, duke u premtuar se do ta japë maksimumin për skuadrën e re.

Edhe pse gjilanasi luajti gjatë gjithë këtij takimi, kjo nuk garanton minutazh të njëjtë për të edhe për ndeshjet e ardhshme, sepse siç dihet ai do të ketë konkurrentë të fortë për të zënë vend në formacionin bazë të Bayernit, siç është Arjen Robben e shumë të tjerë.

Megjithatë, duke qeshur, Shaqiri ka bërë me dije se në ‘Allianz Arena’ ka shkuar me qëllim që të luajë sa më shumë që është e mundshme. “Ende është herët për të folur rreth zënies së një vendi të rregullt në formacion. Konkurrenca është e madhe, por një gjë është e sigurt se unë synoj të luaj sa më shumë, ashtu siç duan të gjithë futbollistët tjerë të Bayernit”, ka theksuar Shaqiri.

Ky i fundit nga mediat gjermane po cilësohet si një yll i ri i mundshëm që mund të shpërthejë në Bundesligë, bashkë me kosovarin tjetër Granit Xhakën, i cili po ashtu në këtë verë e kompletoi transferimin e tij nga Baseli në Monchengladbach.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›