E Diel, 1 Nëntor 2026

Tifozët nuk durojnë më: Murinjo, largohu!

SPANJE- Humbja 1-2 në klasiken e së mërkurës në Kupë nuk ka kursyer as Zhoze Murinjon. Pas ndeshjes, portugezi deklaroi se ishte komplet faji i tij për këtë disfatë, por megjithë këtë “mea culpa”, tifozët madrilenë duken se janë të lodhur me disfata. Në fakt, nuk ka ndodhur kurrë që skuadra e kryeqytetit të ketë një seri kaq negative në klasiket me Barçën.

E përditshmja “Marca”, ka publikuar dje në uebsajtin e saj on-line disa komente të tifozëve, të cilët kërkojnë largimin e Zhoze Murinjos, si përsa i përket humbjes, ashtu edhe për mënyrën si u soll Reali.

“Është një turp, Murinjo shporru!”, “Faji është i trajnerit”, “Problemi nuk është Barcelona, është sjellja e Realit”. Janë këto disa prej komenteve, ndërkohë që sipas “Marca”-s, tifozeria kërkon dorëheqjen e teknikut portugez. Reali u mund 1-2 në ndeshjen e së mërkurës në “Bernabeu”, e vlefshme për çerekfinalen e Kupës. Ronaldoi shënoi i pari, por golat e Pujol e Abidal, përmbysën gjithçka në këtë sfidë.
(ma.ar/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›