Tim Robbins: Kriza ime e pjekurisë
Aktori amerikan, fitues i çmimit “Oskar” dhe i njohur kryesisht për interpretimin në filmin “Mystic River”, tashmë në një moshë të pjekur, ka filluar që të kuptojë realisht se sa pak kohë i ka mbetur në jetë për të bërë me të vërtetë gjërat që dëshiron të bëjë dhe se cilat do të ishin projektet që do të donte të përmbyllte në pjesën e mbetur të ditëve të tij. Ky ndërgjegjësim i ndodhi dy vjet më parë, kur pasi kishte punuar për shumë kohë për një projekt kinematografik, në fund ia refuzuan. Kjo ndodhi disa muaj para se të ndahej nga partnerja e tij, aktorja Susan Sarandon. Robbins, 51-vjeçar, nuk është i vetmi që po përballet tani me të ashtuquajturën “kriza e moshës së mesme”. është një krizë që zakonisht shpërthen pas një apo dy ngjarjeve të vështira në jetë, por që të bën të kuptosh se cilat janë me të vërtetë gjërat më të rëndësishme që duhet të bësh para se të largohesh njëherë e përgjithmonë. Një tjetër aktor amerikan, Lenny Henry, thotë se u përball me këtë krizë, që sjell gjithnjë ndryshime të mëdha, në vitin 1999, kur i dolën fjalë për një marrëdhënie jashtëmartesore. Një tjetër aktor i famshëm i Hollivudit, personazhi kryesor i filmit “Indiana Jones”, Harrison Ford, thotë se përjetoi një moment të madh krize e më pas ndryshimi kur mbushi 60 vjeç, tetë vjet më parë. Në atë periudhë, ai u divorcua me gruan që e lidhnin 20 vjet martesë dhe që nga ai moment, nisi që të kishte sjellje djaloshare, si të vinte në veshin e majtë vëthë, t’i kalonte netët nëpër klube dhe të takohej me aktoren shumë më të re se ai, Calista Flockhart.
Po le të rikthehemi tek Robbins dhe Sarandon. Artistja ishte 12 vjet më e madhe se partneri dhe të dy vendosën që t’i japin fund marrëdhënies pas 23 vitesh dhe kjo për çudinë e të gjithëve dhe në një kohë kur ata konsideroheshin si çifti më i qëndrueshëm dhe më shembullor i Hollivudit. Ata nuk vunë kurrë kurorë, por sollën në jetë dy fëmijë, që tani janë të rritur. Në një intervistë të fundit, Robbins u shpreh se kriza e tij nisi me përkeqësimin e gjendjes shpirtërore dhe mendore, pasi i refuzuan një projekt filmi, për të cilin kishte punuar shumë. “Në atë kohë i bëra pyetjen vetes: çfarë gjëje nuk e ke bërë dhe që do të bëheshe pishman nëse nuk do ta bëje në jetën tënde? Sigurisht që për këtë m’u desh që të mendohesha gjatë. Një krizë e moshës së mesme, mendoj se është diçka e pashmangshme për të gjithë njerëzit. Ajo vjen në një moshë të caktuar dhe sjell gjithmonë ndryshime dhe mesazhe të caktuara. Në më të shumtën e rasteve, të shërben si rikujtues i qëllimit të jetës. Ti detyrohesh që të shikosh brenda vetes, të kalosh më shumë kohë me veten nga sa ke kaluar ndonjëherë gjatë jetës dhe të marrësh vendime që, në njëfarë mënyre, ta ndryshojnë tërësisht ekzistencën për t’i dhënë fillim një ekzistence, një cikli të ri. Zakonisht për meshkujt, një krizë e tillë ndodh pas të 40-ave. Në këtë moment nisim që të mendojmë më seriozisht për jetën dhe më me pjekuri dhe kemi urgjencë më të madhe për t’u vetërealizuar. Dhe kur mendon se gjithsesi vitet që ke përpara mund të jenë më të pakët se ata që ke lënë pas, të vjen spontanisht pyetja: çfarë dreqin jam duke bërë deri më tani? A po bëj me të vërtetë atë që dua, apo jam duke jetuar jetën që nuk më përket?”
Robbins thotë se kjo përvojë e bëri që të shkruajë dhe të hedhë në një album me këngë të gjitha ndryshimet që përjetoi dhe këndvështrimin e ri me të cilin e sheh tani botën. “Fillimisht mendova që ta quaja albumin ‘Kriza e moshës së mesme’, por më pas mendova se në këtë mënyrë, ai rrezikonte që të mos shiste asnjë kopje. E më pas mendova se ndoshta titulli që do t’i përshtatej më mirë përmbajtjes dhe do të shiste më shumë, mund të ishte “Dashuri dhe vuajtje”. Pas ndarjes nga partnerja e tij dhe përjetimi i një krize që i solli një jetë të re, a e sheh Robbins sërish të mundur që të gjejë herët ose vonë dashurinë? Sipas tij, ai gjithmonë ka shpresë për një gjë të tillë dhe sigurisht nga dashuria nuk do të heqë dorë kurrë. Robbins është edhe një aktivist politik i njohur dhe gjithnjë ka qenë kundër disa mënyrave të veprimit dhe të funksionimit të botës hollivudiane dhe mbi të gjitha, të asaj që ai e cilëson “skllavëri Hollivudi”, që ka të bëjë me mënyrën e vënies në punë të industrisë kinematografike dhe detyrimeve që ti ke ndaj kësaj pune. Në një ambient si Hollivudi, sipas tij, aktorët po ndihen gjithnjë e më të rrezikuar për të ardhmen e karrierës së tyre, kur u duhet të flasin për atë që mendojnë për çështjet politike apo sociale. “Kjo është diçka që nuk është aspak e mirë. Më parë nuk ishte kështu, kishte më shumë liri dhe më pak censurë. Nuk besoj se quhet liri një situatë ku ti ke frikë të flasësh hapur atë që mendon, sepse mund të kesh pasoja nëse mendimi yt cenon dikë, apo një sistem. Në Hollivud po fole ashtu si mendon, nuk je më i preferuar dhe nuk të jepen më pjesë dhe role. Për mua, kjo është një lloj skllavërie”. Për sa i përket zanafillës si aktor, Robbins thotë se fillimisht i hyri kësaj rruge, sepse donte që të tërhiqte vëmendjen e femrave dhe se këtë gjë mund të ta jepte vetëm përfshirja në industrinë e Hollivudit. Por, me kalimin e kohës, e kuptoi se Hollivudi është një makinë e pamëshirshme që e sheh një aktor apo një regjisor vetëm përmes optikës së fitimeve që ai mund t’i sjellë. “Vlera jote është e barasvlershme me atë të biletave që arrin të shesësh në kinema”, thotë Robbins, i cili tashmë e ndien se ka filluar një jetë të re.
#