E Diel, 1 Nëntor 2026

Martesa, mure guri apo copëza kartoni?!

Zëra femërorë

Ndërsa filmat amerikanë vazhdojnë të përcjellin me këmbëngulje të vazhdueshme idenë e familjes së fortë, të qëndrueshme dhe besnike, të kundërtën bëjnë personazhet e kësaj kinemaje në jetën e tyre reale. Përditë e më shumë i shohim në faqet e para të gazetave e të rrjeteve informative, se si dashurohen, martohen, herë–herë bëjnë fëmijë, e më pas ndahen sërish për të jetuar një tjetër dashuri e një tjetër martesë. E parë nga e njerëzit e thjeshtë, kjo jetë duket gati–gati irreale dhe në pjesën më të madhe të rasteve komentohet me të njëjtat fjalë: “Eh, ata bëjnë jetë të shthurur. Nuk i dinë vlerat e martesës e as të familjes”.

Dhe vërtet, duket se jeta e një aktori në Hollivud, për sa u përket ndarjeve, tradhtive e divorceve, nuk mund të krahasohet me jetën e një njeriu të zakonshëm, e akoma më tepër me jetën e një personi këtu në Shqipëri, ku vlerat morale dhe familjare janë tepër të rëndësishme dhe bazë e shoqërisë sonë, e cila në pamje të parë nuk e pranon shthurjen dhe imoralitetin. Them “në pamje të parë”, sepse një sërë ngjarjesh dhe modelesh që na janë paraqitur vitet e fundit, na bëjnë të mendojmë se dukja është tepër e ndryshme nga thelbi. Duke qenë se vendi ynë vjen nga një traditë shumëvjeçare, ku tradhtia bashkëshortore ka qenë e ndaluar dhe e dënuar më shumë nga shoqëria se nga ligji, kjo ka bërë që sjelljet e partnerëve brenda një çifti të ndryshojnë në mënyra nga më të ndryshmet, por gjithmonë duke iu nënshtruar moralit shqiptar, i cili si përherë vazhdon të përforcojë idenë se familja është e shenjtë dhe nuk duhet shkatërruar në asnjë lloj mënyre dhe për asnjë lloj arsye. Kështu, brenda këtij morali, një pjesë e meshkujve shqiptarë, për arsye nga më të ndryshmet, kanë nisur të ruajnë familjen, ndërkohë kanë një të dashur të ligjshme. Ky fenomen tashmë tepër i njohur në vendin tonë, ka gjetur zbatim në një pjesë të madhe të çifteve shqiptare, jo vetëm të figurave të njohura të politikës, të administratës së lartë shtetërore dhe të artit shqiptar, por edhe të atyre të panjohur në qytete e fshatra. Ndërkohë, shoqëria i dënon këto sjellje me komentet e zakonshme: “S’u vjen turp. Janë bërë të gjithë me dashnore”. Brenda këtij fenomeni, që pak nga pak po bëhet nga shqetësues në problematik, shënohen edhe ato raste, ku një pjesë e meshkujve kërkojnë t’i japin fund tradhtisë dhe martesës me anë të divorcit. E në këto raste përsëri e gjejnë veten të dënuar nga shoqëria nën komentin: “Pika që s’u bie, po lënë gratë për dashnoret”.

Komentet e mësipërme të ardhura nga zëra jo vetëm ruralë, por edhe intelektualë, na bëjnë të kuptojmë se shoqëria jonë e kërkon ende monogaminë si sjelljen më të denjë brenda martesës së një çifti, por në rastet kur dikush kërkon të divorcohet, zërat e shoqërisë në mënyrë të pakuptueshme kërkojnë që më mirë të ruhet martesa, edhe pse njëri nga partnerët vazhdon me lidhjet jashtëmartesore. Kjo tendencë e fundit e shoqërisë sonë më bën të dyshoj për marrëdhëniet e sinqerta dhe të ndershme që pretendohet se kanë ekzistuar brenda çifteve në vitet e shkuara. Bazuar mbi këtë logjikë, mendoj se partnerët më parë, ose nuk tradhtonin sepse kishin frikë, ose sepse nuk kishin mundësi, ose tradhtonin në fshehtësi dhe rrallë shumë rrallë kur zbulohej ndonjë, dënohej fillimisht nga gjyqi i lagjes, e më pas nga ai i rrethit. Nëse këto pandehma janë të vërteta, atëherë shoqëria jonë nuk qenka bazuar asnjëherë te ndershmëria brenda çiftit martesor, por e ka parë martesën thjesht si një institucion me mure të larta, të forta e të bukura, brenda së cilës mund të gëlojnë të gjitha llojet e shthurjeve, mjafton që këto të mos dalin jashtë mureve. Akoma edhe sot, duket se shoqëria jonë kërkon që ne emër të institucionit të martesës, njerëzit më mirë të shtiren sesa të tregojnë fytyrën e vërtetë me anë të sjelljeve të tyre. Me këtë përfundim të fundit, më lind një pyetje e madhe: “Cilët janë më të shthurur? Aktorët amerikanë, të cilët me ndershmëri dinë t’i vënë fund një lidhjeje martesore, për të nisur një tjetër, apo familjet shqiptare që nuk duan të heqin dorë nga ombrella e martesës, edhe pse kjo është e shpuar vrima-vrima nga të katër anët, dhe ç’pikon jashtë e sjell brenda?

Në zhvillimet e një shoqërie askush nuk di të japë përgjigje të sakta, ndoshta as sociologët, e as psikologët. Por gazetarja amerikane Maria Shriver thotë: “Martesa është punë e vështirë... Nuk është thjesht një status. Janë një milion veprime që ndërmerren me qëllim që të qëndrosh me dikë, të ndash jetën me dikë, të kesh partnership me dikë, të vlerësosh dhe të suportosh dikë, të kultivosh dashuri, veprime këto të ndërmarra në mënyrë të vazhdueshme”. Ndoshta këtë duhet të bëjnë edhe çiftet shqiptare: të mos flenë gjumë brenda martesës, por të punojnë dhe të përkushtohen për të ruajtur vlerat e saj, pa e quajtur atë asnjëherë të sigurt, sepse muret e trasha e të larta shumë shpejt kthehen në copa kartoni që i fluturon edhe era më e lehtë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›