E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i arsimit të lartë, disa nene kthim për shqyrtim

Arsimi Fundi i muajit do të shënojë edhe miratimin përfundimtar për të gjitha amendimet e kërkuara nga Arsimi

Ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë do të diskutohet nen për nen deri në fund të muajit korrik. Më pas ai do të kalohet menjëherë për miratim në Parlament. Ashtu siç u tha edhe në mbledhjen e fundit të Komisionit Parlamentar të Arsimit, parimisht ky ligj e ka marrë aprovimin e komisionit, megjithatë ndryshimet nen për nen do të shqyrtohen gjatë këtyre javëve.

Përveç debateve dhe divergjencave mes ministrit dhe rektorëve, por edhe mes rektorëve, ndonjëri prej të cilëve ndryshoi pozicion në momentin e fundit, është rënë dakord që ndryshimet dhe amendimet e parashtruara në draft të diskutohen nen për nen para miratimit përfundimtar. Nga këto pika, ato që kanë paraqitur më shumë debat e diskutim jo vetëm mes profesorëve, por edhe anëtarëve të komisionit, ishin të lidhura me çështjen e mbrojtjes së gjuhës së huaj nga testi ndërkombëtar i TOEFL-it. Ministri i Arsimit ka sqaruar për anëtarët e komisionit se do të ketë një bashkëpunim edhe me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe ky kriter për pasuniversitarët nuk është vendosur për të nxjerrë nga funksioni këtë fakultet. Një tjetër nen që do të diskutohet me rigorozitet do të jetë edhe ai i ekuivalentimit të cikleve të studimit. Aspak e debatuar, nuk ka marrë asnjë minutë kohë të diskutimeve në komision, ka qenë çështja e zgjedhjeve në institucionet shëndetësore, si qendrat spitalore, apo kriteret përzgjedhëse për krerët e shërbimeve që njëkohësisht japin mësim edhe në Fakultetin e Mjekësisë. Tjetër nen që do të diskutohet në komision do të jetë lidhur me punësimin, me kohë të pjesshme apo të plotë, ndryshimet që prekin këtë pikë duhet të bëhen konform Kodit të Punës dhe të mos ketë mbivendosje me këtë dokument ligjor. Ashtu siç u propozua me rektorët, do të jetë e diskutueshme edhe konferenca e rektorëve. Ky organizëm u përfol se ishte pak a shumë në funksionin e një OJF-je, por për shkak të shtimit të universiteteve private, nuk është parë me vend që rektorët e institucioneve publike të jenë në të njëjtën tryezë bisedimesh me ato të institucioneve private.

Ndryshimet e parashikuara në ligjin e arsimit të lartë, do të miratohen brenda këtij sesioni parlamentar, që mbyllet më 29 korrik. Ky draft ndodhet në listën e “punëve” të parashikuara për t’u mbyllur dhe për t’u miratuar deri në afatin e përcaktuar.

Sipas ministrit Tafaj, amendimet e paraqitura garantojnë thellimin e reformave dhe ndihmojnë në përshtatjen e ligjit me problematikën e hasur gjatë zbatimit në praktikë. Ndërkohë që rektorët janë shprehur kundër ndryshimeve, pasi, sipas tyre, cenohet autonomia universitare dhe liria akademike, duke i dhënë më shumë kompetenca ministrit të ndërhyjë në çështjet që u përkasin atyre. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, dhe disa rektorë të universiteteve, kanë dhënë deklaratat dhe opinionet në prani të anëtarëve të komisionit. Edhe një herë qëndrimet e tyre ishin të kundërta lidhur me disa nga nenet që janë përfshirë në ndryshim.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›