007 e mijëvjeçarit të tretë
Cili është roli i shërbimeve sekrete? Përse çdo shtet ka spiunët e tij dhe në fakt jo vetëm vendet, por edhe kompanitë dhe ndërmarrjet e mëdha apo të vogla? Këto janë disa nga pyetjet që kanë bërë xhiron e botës, që nga historia e fundit me spiunazh mes rusëve dhe amerikanëve, që përfundoi me shkëmbimin e personave, që ishte edhe shkëmbimi më spektakolar i këtij lloji në historinë e spiunazhit botëror. Kjo ngjarje u rikujtoi të gjithëve, veçanërisht romanet policeskë dhe ato me spiunazh nga Lufta e Ftohtë të të famshmit Le Carre, me kalimet e fshehta nga një Berlin në tjetrin, apo këmbimet që bëheshin në fund të viteve ‘80 për spiunët e sërës së lartë, të kapur me presh në dorë nga dy superfuqitë e kohës. Të gjithë, në fakt, menduan se epoka e këtij lloj spiunazhi e për më tepër e shkëmbimeve të tilla, kishte marrë fund së bashku me Luftën e Ftohtë, por në fakt...
Në fakt, të parët që vunë në dyshim ardhmërinë e profesionit të tyre kur ra Muri i Berlinit në vitin 1989, ishin pikërisht punonjësit e shërbimeve sekrete të vendeve të botës. Ishin me mijëra burra dhe gra, pjesë e shërbimeve sekrete, ose në gjuhën popullore, ishin spiunë të tyre. Pas rënies së perandorisë sovjetike, një numër i madh spiunësh rusë, por edhe amerikanë dhe europianë, menduan se me epokën e re, roli i tyre do të ishte i panevojshëm dhe se ata mund të përfundonin shumë shumë konsulentë kinematografikë në filmat me temë nga e kaluara. Një klimë e tillë do t’i bënte mirë edhe opinionit publik, që duhet të mendonte tashmë se në planet nuk kishte më shtete që ishin kërcënues për vendet e tjera dhe se historia e spiunazhit, karakteristike për Luftën e Ftohtë, kishte marrë fund njëherë e mirë. Në këto rrethana lindi pyetja: përse duheshin paguar punonjësit e shërbimeve sekrete kur ata duket se kishin dalë jashtë loje? Për atë valë të madhe frike, që përfshiu pjesën më të madhe të shërbimeve sekrete, flet edhe një takim i organizuar në fillim të viteve ‘90 në selinë e shërbimit sekret italian Sismi, nga ish-shefi i kundërzbulimit italian. Ai ishte në një tryezë në të cilën morën pjesë shefat e shërbimeve sekrete italiane, ruse, amerikane, gjermane, franceze dhe spanjolle. Disa prej tyre ishin aktivë, ndërsa të tjerët në pension, por të gjithë ishin të gatshëm për të dëshmuar se profesionit të tyre të “nderuar” nuk i kishte ardhur koha për të dalë në pension. Në këtë takim, shefi i fundit i KGB-së, Leonid Shebarshin, duke ngritur një dolli për ish-armiqtë e tij, deklaroi se do të ishte një gabim i madh të mendohej se shërbimet sekrete janë produkt i Luftës së Ftohtë. Sipas tij, shërbimet sekrete kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë gjithmonë dhe kjo si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë lufte, duke qenë se qëllimi i tyre është ai i parashikimit dhe parandalimit të kryengritjeve ndaj shtetit përmes informacioneve të nevojshme. Për këtë arsye të mendosh, sikundër bënë disa shtete perëndimore, se falë zhdukjes së ish- Bashkimit Sovjetik, edhe shërbimet sekrete do të kishin të njëjtin fat, do të ishte një naivitet dhe diçka aspak e vërtetë. Në atë tryezë, sipas fjalëve të njërit prej pjesëmarrësve, ishin të gjithë “miq të mirë”, që nga ana tjetër tentonin që të merrnin vesh sekretet e njëri-tjetrit dhe kjo duke shkelur haptazi ligjet. Sipas tyre, spiunazhi është shumë i rëndësishëm dhe dobiprurës, madje edhe familjet më të lumtura kanë nevojë për pak spiunazh. Fjalët e ish-shefit të fundit të KGB-së dolën të drejta, veçanërisht pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet Bashkuara të Amerikës. Lufta kundër terrorizmit e ligjëroi shërbimin sekret dhe rolin e tij dhe, mbi të gjitha, forcoi dhe i dha rëndësi të veçantë rolit njerëzor, sepse sigurisht gjërat e vendimet më të rëndësishme nuk mund të liheshin në duart e makinerive, sado të sofistikuara që të ishin. Që nga ai moment u shndërrua në një objektiv kryesor infiltrimi në celulat e terroristëve, përgjimi i të gjitha llojeve të mjeteve të komunikimit, kryesisht atij elektronit, që morën edhe një zhvillim të madh gjatë dhjetë viteve të fundit, duke u shndërruar në mjetet kryesore të shërbimit të informacionit dhe të të dhënave të ndryshme. Më pak të njohura, por jo më pak të sofistikuara, janë edhe mjetet e njerëzve që merren me spiunazhin teknologjik dhe atë ekonomik. Dhe për sa i përket këtyre të fundit, kemi të bëjmë edhe me spiunazhin e kryer jo vetëm nga shtetet dhe qeveritë, por nga kompanitë dhe shumëkombëshet e fuqishme, që në këtë rast kryejnë shkelje ligjesh, por që shumë rrallë arrijnë të kapen, pasi ata punësojnë kuadrin më të specializuar që ekziston, madje më të mirë se vetë të shërbimeve sekrete qeveritare.
Në emër të interesave supreme të shteteve respektive, agjencitë e shërbimit informativ veprojnë si aktorë në tregun e informacionit sekret. çdo shërbim sekret tenton që të përdorë në më të mirën e mundshme, pasurinë e tij informative dhe ta zgjerojë e shtojë atë përmes burimeve të ndryshme. Informacioni, sikundër çdo lloj malli në treg, shkëmbehet me mallra të tjerë për arsye dhe për leverdi të ndryshme. Kjo bëhet në tregun informal të informacionit. Konkurrenca më e madhe shpesh nuk ndodh mes agjencive të vendeve të ndryshme, por mes agjencive të të njëjtit vend, pra të të njëjtit sistem kombëtar dhe në këtë rast, efekti i tyre në sigurinë e një shteti është shumë negativ, sepse tashmë objektivi i organeve të ndryshme nuk është ai i mbërritjes së vendit, por i konkurrencës shpesh të pandershme dhe të paligjshme mes agjencive. Amerikanët mund të thonë shumëçka lidhur me një situatë të tillë, duke qenë se tashmë po vuajnë prej kohësh pasojat e Luftës së Ftohtë, mes agjencive të ndryshme të shërbimit sekret në vend, të cilat teorikisht janë programuar për të bashkëpunuar secila në sektorin e vet, në favor të administratës amerikane. Kështu, tashmë, janë shndërruar edhe në skenarë filmash dhe telefilmash të ndryshëm kundërshtitë dhe kontradiktat që ekzistojnë mes CIA-s dhe FBI-së, të cilat në raste të caktuara, duket sikur përfaqësojnë dy agjenci krejt të ndryshme të dy shteteve që janë armiq me njëri-tjetrin.
Për sa i përket shkëmbimit të fundit mes rusëve dhe amerikanëve, që bëri bujë në median e së gjithë botës dhe të ashtuquajturit rikthim të Luftës së Ftohtë (gjithmonë nëse konsiderojmë faktin se ajo pati mbaruar ndonjëherë) ajo që i ka habitur të gjithë nuk është aspak fakti i ekzistencës së spiunëve rusë në Amerikë, por ai i marrëveshjes të shpejtë të arritur mes Moskës dhe Uashingtonit, për të shkëmbyer mes tyre agjentët. Dhe kjo ndodhi në një kohë me të vërtetë të shkurtër dhe pa asnjë lloj pengese. Ndoshta mënyra e re me të cilën i shikojnë gjërat Obama dhe Medvedev, për t’i dhënë marrëdhënieve dypalëshe shansin e një fillimi të ri ka pasur ndikimin e saj në këtë rast, që në një periudhë tjetër kohore të historisë mund të ishte shndërruar në një rast të denjë për ftohje të madhe marrëdhëniesh. Për sa i përket Shtëpisë së Bardhë, ajo po përpiqet me të gjitha mënyrat për të ndrequr marrëdhëniet mes agjencive të shumta të spiunazhit që ka vendi, ndërkohë që në Rusi situata është më e thjeshtë falë ekzistencës së vetme të paraardhëses së KGB-së, FSB. Në këtë botë në të cilën ekzistojnë më tepër pole dhe forca krahasuar me dy superfuqitë e periudhës së Luftës së Ftohtë, amerikanët dhe rusët duket se kanë më shumë nevojë për aleancën e njëri-tjetrit se sa për krijimin e konfliktit mes tyre dhe ajo që tashmë është plotësisht e qartë, është fakti që spiunët nuk kanë rrezikuar asnjëherë që të mbeten pa punë.
#