E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tinguj nga Hayden dhe Weber në mbrëmjen koncertore

Vepra nga kompozitorë botërorë vijnë në koncertin e Orkestrës Simfonike të RTSH
Vepra nga kompozitorë të njohur botërorë do të vijnë në koncertin e radhës së stinës koncertore të Orkestrës së Radiotelevizionit Shqiptar, e cila vjen kuaj here me të tjera perla të muzikës simfonike. Tingujt e magjishëm të muzikës klasike sjellin kësaj here dy prej emrave më të njohur të kompozitorëve botërorë, Franz Joseph Haydn dhe Karl Maria Von Weber. Ky sezon artistik i Orkestrës Simfonike të RTSH ka qenë mjaft i larmishëm me koncerte, dhe për disa mbrëmje i ka ofruar publikut tinguj të magjishëm të muzikës klasike, duke sjellë për të gjithë adhuruesit e këtij zhanri, emra të kompozitorëve të njohur botërorë. Në vijim të stinës koncertore, gjatë mbrëmje së sotme veprat e kompozitorëve do të vijnë të interpretuar nga artisti Pirro Sota nën shoqërinë e orkestrës,  e cila do të jetë nën drejtimin e dirigjentit Bujar Alliu. Në repertorin e këtij koncerti janë përzgjedhur të jenë disa nga pjesët më të mira të këtyre kompozitorëve, si uvertura e Weber, e titulluar Euryanthe, dhe po nga ky i fundit Andante e Rondo për Fagot e Orkestër. Ndërkohë që, edhe nga Haydn janë përzgjedhur pjesë si, simfonia nr. 101, The Clock ( Die Uhr ) e kështu me radhë. Repertori i pasur dhe emrat e artistëve pjesëmarrës premtojnë ti dhurojnë emocione të veçanta publikut në mbrëmjen koncertore. Ndërkohë që edhe artistët që janë të ftuar për të interpretuar në këtë koncert janë emra të talentuar të muzikës. Kështu Pirro Sota fagotist, solist pranë Orkestrës Simfonike të RTSH është diplomuar në Akademinë e Arteve me 1988 me pedagog Ismet Çaushin dhe që nga ky vit, punon si koncert-maester i Orkestrës Simfonike të RTSH. Është pedagog i klasës së fagotit dhe Ansambleve të Dhomës pranë Akademisë së Arteve. Ka interpretuar si solist me Orkestrën e Radiotelevizionit Shqiptar me dirigjentët Ferdinant Deda, Eno Koço, Jetmir Barbullushi, Julius Karr Bertoli (Gjermani), Ermir Krantja, Petrika Afezolli, etj. Ka një aktivitet të pasur solistik dhe me Ansamble të Dhomës brenda dhe jashtë vendit. Ka interpretuar me sukses në Itali, Greqi, Gjermani, Austri, Kosove, etj. Merr pjese ne duo, trio, kuartete dhe kuintete duke interpretuar me sukses në skena të Shqipërisë dhe në Europe. Shquhet për teknike të larte interpretative dhe është një nga përfaqësuesit e lojeve moderne të fagotit. Ndërsa Bujar Alliu diplomohet  dirigjent në vitin 1996, në Akademinë e Arteve të Bukura të Tiranës. Në janar të 1995, bën master me  Vittorio Parisi, drejton Orkestrën Simfonike të RTSH. Në shkurt të 1996, drejton orkestrën e përbashkët simfonike Shqiptaro-Gjermane. Në tetor të 1996, i ftuar nderi në Halle të Gjermanisë, ku drejton Orkestrën Simfonike Akademike të Universitetit Martin Luther. Nga tetori i 1997, është pedagog i jashtëm i kontrapunktit në Akademinë e Arteve. Më pas do të drejtojë Orkestrën Frymore, si dhe ansamble vokale e Instrumentale. Në janar të 1999, punon si dirigjent kori në Teatrin e Operës dhe Baletit, në Operat Don Giovanni nga Mozart dhe Carmen nga Bizet etj. Në maj 2005 përfaqëson Shqipërinë në Javën Kulturore të Shqipërisë, në Radio Deutsche Welle Bon-Gjermani. Nëntor 2005 ftohet të përfaqësojë Shqipërinë si Dirigjent me Orkestrën e Harqeve Virtuozet e Tiranës në Javën Kulturore Ballkanike, në Bedburg. Në po këtë periudhë, drejton Orkestrën e përbashkët shqiptar- gjermane (Tiranë/Bochum) si  dirigjent, dhe koncertet e planifikuara në Bochum-Gjermani. Aktualisht, Pedagog Dirigjent i Dytë i Orkestrës Simfonike të Akademisë së Arteve, si dhe Dirigjent i Korit të Djemve në Liceun artistik Jordan Misja, njëkohësisht dhe pedagog i ansambleve të dhomës.
Veprimtaria artistike e kompozitorëve
Franz Joseph Haydn (kompozitor austriak (1732-1809). Një nga më të mëdhenjtë e periudhës klasike, quhet babai i simfonizmit dhe i kuarteteve të harqeve. Zhvilloi shumë punet për piano dhe evoluoi formën e sonatës. Veprat më të famshme të kësaj periudhe janë: Surpriza, Simfonite londineze dhe kuartetet për harqe. Me kthimin në Vienë me 1975, iu kthye kompozimit të veprave fetare për kor dhe orkestër, oratoriot: Krijimi dhe Stinët. Të kësaj periudhe janë edhe 6 vepra kushtuar familjes Esterhazy. Me 1802 sëmuret  dhe ndahet nga jetë me 1809 sapo Bonaparti kishte pushtuar Vienën. Për të u ekzekutua Requiem-i i Mozartit. Vdiq si kompozitori më i njohur në bote, ishte mik i ngushte i Moxartit dhe mësuesi i Beethovenit. Simfonia 101 (The Clock, Ora) ka katër kohë. Hapet me një introduksion të qetë me karakter të mbajtur, por duke u bërë gjithmonë më aktive.
Karl Maria von Weber (Lubeck 1786- Londër 1826): Bir i një violinisti, në fillim filloi mësim për oboe pastaj për këngëtar dhe organo. Kompozoi gjashtë fugeta për piano, operën Fuqia e dashurisë dhe verës. U shqua për opera klasike që çuan në zhvillimin e muzikës lirike në Gjermani, kompozoi shumë vepra për klarinetë. Vepra e tij e muzikës kishtare (sacra), qe shumë popullore në Gjermani. Ishte dhe gazetar muzikor dhe u interesua për këngët popullore. Ka qenë ndër të parët që përdori teknikën e laitmotivit. Ka qenë inspirues i Marsshner, i Majerberit dhe i Wagnerit. Dirigjent i Operës së Pragës dhe pastaj i Drezdenit. Veprat kryesore: Kuartet për piano e harqe, Kuintet për klarineta, Duo për klarinetë e piano, Trio për pianoforte flaut cello, Variacione për violinë e piano, pjesë për piano me katër duar etj. Andante & Rondo Ongarese për fagot e orkestër. Kjo vepër ka një histori të veçantë, por në përgjithësi nuk dihen arsyet e vërteta përse ai e shkroi. Mendohet që ia kushtoi një miku të tij të ngushtë, fagotist i parë i orkestrës së Oborrit të Mynihut. Pastaj u mendua të jetë versioni për fagot dhe violë, ndërsa varianti i fundit i botuar, mbeti për violë e orkestër. U luajt për herë të parë në vitin 1813. Euryanthe u ekzekutua në Vjenë me 1823, uvertura e se cilës është shumë popullore dhe sot.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›