E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli, Dibër: 28 qershori konfirmon vazhdimësinë e projekteve

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njëkohësisht nënkryetare e PD-së, gjatë një takimi me banorë të Dibrës, premtoi vazhdimësinë e projekteve të mëdha të zhvillimit të vendit në mandatin e dytë qeverisës të Partisë Demokratike. Ne kemi transformuar vendin dhe do të ecim më tej me projekte të mëdha zhvillimi e integrimi. 28 qershori do të jetë konfirmimi i vazhdimit të projekteve tona, u shpreh Kryetarja e Kuvendit. Sipas një njoftimi të sotëm të zyrës së shtypi të Kuvendit, banorët e Dibrës e kanë pritur Topallin në një ditë të veçantë për ta, përkujtimin në vendlindje të heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Një ekspozitë me koleksionin e rrallë të britanikes Patricia Nugee, me vepra shumëshekullore të autorëve të ndryshëm për figurën e heroit tonë, ishte ndalesa e parë e nënkryetares së PD, e cila më pas, së bashku me kandidatët për deputetë të PD në Dibër, përuroi një monument madhështor të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, në qendër të qytetit.
Kryetarja e Kuvendit, e shoqëruar nga Nugee, tha se për Dibrën dhe gjithë Shqipërinë nuk ka krenari më të madhe që në historinë tonë ka një legjendë të tillë, që kërkonte Shqipërinë evropiane, ashtu siç shkruhet sot në raportet ndërkombëtare për vendin tonë, me fjalët më të mira, për një popull me energji të pashtershme, për një Shqipëri që është transformuar, për një Shqipëri evropiane. Mandatin e ardhshëm nuk do të jemi thjesht qytetarë të NATO-s, por dhe qytetarë evropianë, u shpreh Topalli. Sipas saj, anëtarësimi në NATO dhe aplikimi për statusin e vendit kandidat në BE, rritja e rrogave e pensioneve, ulja e taksave për biznesin etj, janë arritje që askush nuk mendonte se mund të realizoheshin në një kohë kaq të shkurtër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›