Dule akuza Ramës: "PS nuk na mbrojti votat"
Autori i Lajmit: RedaksiaRezultati i zgjedhjeve të 28 Qershorit ka futur në replika Vangjel Dulen dhe Edi Ramën. Gjatë Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Dule ka lëshuar kritika ndaj selisë rozë, e cila, sipas tij, nuk ishte e aftë të ruante votat e PBDNJ, duke sjellë një përfaqësim jodinjitoz të saj në Parlament. Por, Edi Rama, i ftuar në Kongres, ka deklaruar se vetëm hapja e kutive do të bëjë transparencën e zgjedhjeve, duke lënë qartë të kuptohet se votat e së majtës janë manipuluar. Dule ka lëshuar akuza edhe ndaj aleates së dikurshme, PD-së, duke denoncuar përpjekjet për të futur brenda PBDNJ-së struktura paralele. Dule i ka cilësuar si të dështuara propozimet e bëra më herët prej tij, për Spiro Kserën dhe Kosta Barkën, duke justifikuar në këtë mënyrë dhe kalimin e Kserës në strukturat e PD-së. Kongresi i Jashtëzakonshëm i PBDNJ-së pritet të konfirmojë Vangjel Dulen si kryetar dhe të zgjedhë kryesinë e re.
Akuzat
“Nuk patëm mbrojtjen e votës sonë në procesin e 28 Qershorit në masën që ajo pritej prej nesh nga PS. Është një fakt që PBDNJ nuk mori hakun e vet në zgjedhjet e 28 Qershorit, por kjo duhet të shihet ngushtësisht me zhvillimin e procesit. Zgjedhjet e 28 Qershorit vetëm të ndershme, demokratike dhe të barabarta nuk ishin”, - tha dje Dule, gjatë punimeve të Kongresit të Jashtëzakonshëm të PBDNJ-së. Ai pranoi marrjen e përgjegjësive për humbjen, ndërsa pohoi se do të shikohen arsyet që çuan në mosrealizimin e objektivave, por jo duke kërkuar justifikime. Më tej ai shpjegoi mungesën e bashkëpunimit me demokratët duke pohuar se selia blu u përpoq të krijonte brenda PBDNJ-së struktura paralele. “Ne nuk mund të vazhdonim më këtë bashkëpunim, sepse PD u përpoq sistematikisht që në vitin 2007 të krijojë brenda PBDNJ struktura drejtuese paralele”, - tha Dule. Më tej gjatë fjalës së tij në Kongres, Dule shtoi se koalicioni me të djathtët u prish dhe për faktin se pjesë e këtij koalicioni u bënë edhe parti që, sipas tij, synojnë të prishin marrëdhëniet me shtetin fqinj, Greqinë. Pavarësisht se Dule nuk përmendi emra akuzat duket se u adresohen partive çame PDI dhe PDU, forca këto që veçanërisht kohët e fundit, janë treguar mjaft aktive në ngritjen e çështjes çame dhe zgjidhjen e saj. “Pati edhe një arsye tjetër po kaq të rëndësishme. PBDNJ duke qenë me bindje të qartë evropiane nuk mund të pranonte të ishte në kuadrin e një koalicioni me forca të tjera politike që asgjë të përbashkët nuk kanë me frymën evropiane; me forca politike, në thelbin e programeve të të cilave është armiqësia, e shkuara, të cilat sot e kësaj dite, në mes të Tiranës, jashtë ambasadës së BE, kërkojnë që të mos ecë procesi i integrimit, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre të mbështetura në objektiva fantazmë”, - tha Dule. Ai shtoi se zgjedhjet e qershorit u shfrytëzuan nga pushteti për të dhunuar minoritetin. Dule akuzoi Partinë Demokratike për shkarkime masive nga puna të minoritarëve.
Ky lajm është publikuar: 20/12/2009