E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana - Vllaznia, pikat e forta e te dobetaTe dy skuadrat kane kontingjentet më të mira në kampionat, kanë fituar e shënuar më shumë se cilido ekip tjetër, kanë pikat e forta e të dobëta të tyre.

Te dy skuadrat kane kontingjentet më të mira në kampionat, kanë fituar e shënuar më shumë se cilido ekip tjetër, kanë pikat e forta e të dobëta të tyre. Gazeta "Sport Ekspres" paraqet permes nje specialeje te shkruar nga i mirenjohuri Fatmir Efica, te gjitha sekretet e dy skuadrave.

TIRANA

Pikat e forta

PORTA
“Gardiani” Blendi Nallbani. Eshtë rekordmen i të gjitha kohërave në kampionatet superiore shqiptare, për numrin e ndeshjeve në total (aktualisht 510), duke lënë pas ish-rekormenin, mbrojtësin Dashnor Bita të Apolonisë, që e mbylli karierën me 404 ndeshje. Portjeri 38-vjeçar që vijon të gëzojë një formë shumë të mirë në pritjet e sigurta, grushtimet dhe stilin efikas të përballimit me qetësi e gjakftohtësi të situatave sado të komplikuara tregojnë, se ai vijon të jetë nr.1 i skuadrës dhe një lider ku ushqehen shpresa të mëdha.

MBROJTA
“Trinomi” Rezart Dabulla, Tefik Osmani dhe Andi Lila. Secili me karakteristika specifike, e bëjnë prapavijën bardheblu një repart kompakt, për të mos dhënë shanse kundërshtarëve të bëjnë shumë. Madje lojtarë të këtij repartit, veçanërisht gjatë këtij sezoni, kavajasi i përefaqësueses Andi Lila është dalluar edhe për kalimet e shpeshta përpara në mbështetje të sulmit dhe shënimin e disa golave.

MESFUSHA
Janë edhe në këtë repart tre “liderë” që dinë të bëjnë “fizarmonikën”. Nga klasi i Devi Mukës, te loja e shkëlqyer e lojtarëve tëkrahut, Alecheny Abraham, një mjeshtër i larimit me tituj kampioni në cilin do skuadër ku ka luajtur, apo Ansi Agollit që është një nga lojtarët më interesantë për shpirtin dhe energjitë e pashterura që manifeston pa kursyer në lojë.

SULMI
Kryegoleadori i kampionatit është nga Tirana. Migen Memelli (21 gola) ka bërë një sezon të mrekukullueshëm e që do ta mbajë mend gjatë. Ka ditur të alternohet mirë me klasin e përvojën e Daniel Xhafës (ky i fundit ka realizuar 10 gola). Kjo dyshe që ka fiksuar më tepër se gjysmën e golave të tërë skuadrës dëshmon se është e aftë, që dhe në një ndeshje të fundit ku do të garantohet titulli kampion, të jetë po aq e motivuar në realizimin e kësaj aspirate.   

 
Pikat e dobëta
Kur pëson gol e para bëhet nervoze. i duhet kohë të rimarr veten. Krijon shpesh hapësira për kundërshtarët, duke menduar se vetëm prej formës së futbollistëve të saj mund të zgjidhë në favorin e vet çdo situatë. Ka tendencë “liberale” nga mbulimet një për një të futbollistëve kundërshtarë, që përfitojnë nga mos mbulimi dhe shfrytëzojnë çdo të çarë te prapavija bardheblu. Shpesh në momentet e ndërrimeve ka tentativa kontestimesh. Nga “shthurja” e këtyre ekuilibreve Tirana e ka pësuar shpesh.
   
VLLAZNIA

Pikat e forta

PORTA
Portieri Armir Grima është një “ikonë” e portës shkodrane. Falë kondicionit fizik për t’u admiruar, pa diskutuar përvojën e gjatë (318 ndeshje) në superiore, 35-vjeçari injekton grintë dhe mjaft besim te vija e pasme e skuadrës kuqeblu.

MBROJTA
Spikat Elvin Beqiri. Futbollisti i Kombëtares po i afrohet të 30-tave dhe tani po e kupton jo thjesht ai por skuadra, sesa duhet kjo pjekuri. Bashkë me lezhjanin e fortë Dritan Smajli dhe ganezin Boadu, pa diskutuar aftësitë e Suad Licit që mbetet një mjeshtër i vërtetë i dublimit të të gjithë problemeve të këtij reparti, mbrojtja shkodrane duket e “betontë”.

MESFUSHA
“Regjisori” në këtë repart është pasdiskutim Paulin Dhëmbi. Por ka një harmonizim të mirë me veprimet shpërthyese të kosovarit të fortë Ilir Nallbani dhe shkodranit me një stil e finesë loje, Amarildo Belisha. Edhe Albert Kaçi plotëson shpesh “kuartetin” e një reparti, që ka ende për të dhënë në sintoni të plotë me detyrat qoftë shkatërruese ndaj manovrës kundërshtare, ashtu dhe organizuese kur skuadra shkodrane sulmon vetë në ballë të gjërë, apo me topa vertikalë pas shpinës së kundërshtarit.

SULMI
Dueti Vioresin Sinani dhe Xhevahir Sukaj është një kombinacion perfekt i përvojës me rininë. Sinani dihet se çfarë “ustai” i pagabueshëm është kur gjendet para portave kundërshtare, ndërsa Sukajt, që ka shijuar një përvojë të parë te Haxhetepe në Turqi ka mësuar atë temperament joshës nga stili i kampionatit turk, për të krijuar me një stil real dhe për të improvizuar situata sa më të vëshira te portat kundërshtare. Si Sukaj ashtu dhe Sinani dallojnë për klasin spektakolar në finalizimet e tyre.

 
Pikat e dobëta

U lejon shumë terren ekipeve kundërshtare. Nuk frikësohet edhe atëherë kur është e detyruar të përballojë një lloj presingu. Pasi ka mjaft mjete po aq potenciale të kryejë kundërpërgjigjen. Edhe Vllaznia e ka shumë problem rastet ku pëson e para. Jo se nuk reagon menjëherë, por situatat i lidh me minutat sesa me episodet konkrete, që duhet të shfrytëzojë për ndryshimin e rezultatit. Një problem i Vllaznisë së këtij sezoni ka qenë përshtatja jo dhe aq në shkallën maksimale të kontributeve e futbollistëve të huaj. 

E Shtune, 23 Maj 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›