Tirana-Vllaznia, 30 detaje për një titull kampionTirana synon fitimin e trofeut të 24-t në kampionat, Vllaznia të 10-in. Bardhebluve u mjafton dhe një barazim, ndërsa kuqebluve u duhet fitorja

Një duel që zgjat 33 javë. I nisur në “Loro Boriçi” me një Vllaznia-Tirana në javën e parë të kampionatit. E duke u përfunduar në “Qemal Stafa”, me një Tirana-Vllaznia në javën e fundit të sezonit, një një “super-finale” elektrizuese. Nga rezultati i ndeshjes (e 152-ta historike) do të njihet edhe ekipi kampion i sezonit 2008-2009, por dhe skuadra që do të luajë sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampioneve e Kupën UEFA.
“Albania-sport.com” prezanton 30 detaje që e bëjne më të lehtë udhetimin ne prag te “super-sfidës” se Kampionatit të 70-të Kombëtar të Futbollit.
1. NDESHJA
Tirana-Vllaznia do të zhvillohet ditën e shtunë, në 23 maj në orën 19:00 në stadiumin kombëtar Qemal Stafa. Të dyja klubet kanë rënë dakort për të zhvilluar takimin në këtë orar nën dritën e prozhektorëve e për të afruar një numër sa më të madh tifozësh.
2. TIRANA
Tirana e ka fituar titullin e parë në kampionatin e parë të zhvilluar në vitin 1930. Titullin e 23-të e të fundit e ka fituar në sezonin 2006-2007. Në dhjetë sezonet e fundit, nga ai 1998-1999 e ka fituar atë gjashtë herë.
3. VLLAZNIA
Vllaznia e ka fituar titullin e parë në kampionatin e parë pas Luftës së Dytë Botërore, atë vitit 1945, i 8-ti. Titullin e 9-të e të fundit e ka fituar në sezonin 2000-2001, pikërisht me trajnerin aktual Dervish Haxhiosmanoviç. Në dhjetë sezonet e fundit, nga ai 1998-1999 e ka fituar atë një herë.
4. BILANCI
Dy skuadrat kanë zhvilluar deri tani midis tyre 151 ndeshje. Bilani: 69 fitore Tirana, 35 barazime, 47 fitore Vllaznia. Golat: 177-215. Në 28 ndeshjet e zhvilluara nga sezoni 1999-2000, dominimi i Tiranës është i qartë: 20 fitore Tirana, 5 barazime, 3 fitore Vllaznia.
5. DHJETË FINALE
Gjatë 69 edicioneve të përfunduara dy skuadrat më të vjetra në Shqipëri e kanë diskutuar 9-herë titullin midis tyre: pesë herë ka dalë e para Tirana e katër herë Vllaznia. “Finalja” e 23 majit është e dhjeta midis tyre për titull.
6. 32 TITUJ
Në “Qemal Stafa” do të zbresin dy klubet më të vjetra të Shqipërisë. Së bashku në 69 kampionatet e përfunduara deri tanidy skuadrat kanë koleksionuar 32 tituj kampionë: 23 Tirana e 9 Vllaznia. Dinamo ka 17 e Partizani, 15.
7. 43 TROFE
Tirana është klubi me më shumë tituj në Shqipëri: 43 trofe në total, 23 kampionate (rekord), 13 Kupa të Shqipërisë, 7 Superkupa (rekord). Vllaznia nga ana e saj ka 15 trofe në arkivin e saj: 9 kampionate dhe 6 Kupa të Shqipërisë.
8. KAMPIONËT BARDHEBLU
Në “Librin e artë” të trajnerëve kampionë të Tiranës janë nëntëq emra që kanë fituar në total 23 kampionate: Selman Stërmasi (6 herë), Myslim Alla (4), Enver Shehu (3), Shyqyri Reli (2), Shkëlqim Muça (3), Sulejman Mema (2), Fatmir Frashëri (1), Mirel Josa (1) e Sulejman Starova (1).
9. KAMPIONËT KUQEBLU
Gjashtë trajnerët që kanë fituar një titull me Vllazninë: Ibrahim Dizdari (kampion në edicionin 1945), Ernest Halepiani (1946), Xhevdet Shaqiri (1971-1972, 1973-1974, 1977-1978), Ramazan Rragami (1982-1983), Astrit Hafizi (1991-1992), Hysen Dedja (1997-1998), Dervish Haxhiosmanoviç (2000-2001),
10. PESË TRAJNERË
Për të mbërritur deri në “finalen” e 23 majit, ku dhe do të ndahet edhe titulli kampion, Tirana e Vllaznia kanë pasur në krye të skuadrave të tyre pesë trajnerë: 3 Tirana (Slishkoviç, Kola e Tafaj), 2 Vllaznia (Canaj e Haxhiosmanoviç).
11. REKORDI I DEDËS
Malaziasi Dervish Haxhiosmanoviç është dhe trajneri i fundit që ka fituar një titull me Vllazninë (2000-2001), duke qenë njëherësh edhe i vetmi i huaj që ka mundur të fitojë një kampionat, pro dhe një Kupë të Shqipërisë (2008).
12. BLAZ SLISHKOVICI
Ish-trajneri i Tiranës, boshnjako-kroati Blaz Slishkoviç, ai që projektoi edhe skuadrën e këtij viti do të jetë një nga personazhet “VIP” në “Qemal Stafa”. “Slishko” u largua pas javës së 14-të nga pas barazimit 2-2 me Partizanin e vendit të fundit.
13. FITORET
Edhe pse renditet e dyta, Vllaznia ka regjistruar një fitore më shumë se Tirana në 32 javët e para. 19 fitore ka arritur Vllaznia, nga këto 12 në “Loro Boriçi” e 7-të të ralizuar në transfertë. Tirana, nga ana saj ka 12 fitore në shtëpi, 6 jashtë.
14. SULMI
Tirana është “makina” më prodhimtare e golave në 32 javët e para, 8 më shumë se Vllaznia. Formacioni bardheblu ka shënuar 56 gola, 36 prej tyre në shtëpi. Migen Memelli mban dhe rekordin: 21 gola. Daniel Xhafa ka shënuar 10 gola. Ansi Agolli (5), Andi Lila (4).
15. MBROJTJA
Tirana ka mbrotjen më të mirë në kampionat: 26 gola të pësuar, kundrejt 27 të Vllaznisë. Dinamo e Teuta kanë pësuar nga 31 gola. Më shumë gola të pësuar ka Apolonia, 42 të tillë. Vllaznia është ekipi që ka pësuar më pak në shtëpi: 11 gola, Tirana (12).
16. DUEL KROAT
Në takimin e tretë sezonal midis dy finalistëve të kampionatit do të zbresin në tapetin e “Qemal Stafës” dy futbollistë kroatë, nga një për çdo ekip, që të dy mbrojtës: 22-vjeçari Toni Pezo për Tiranën dhe 24-vjeçari Marko Bashiç për Vllazninë.
17. DUEL AFRIKAN
Një duel afrikan në zemër të Shqipërisë. Askush nuk do ta mendonte 20 vjet më parë. Përballë njëri-tjetrit do të jenë mbrojtësi i Tiranës, nigeriani Abraham Alchevny, dhe mesfushori i avancuar ganez i Vllaznisë, Xhejms Boadu.
18. VIORESIN SINANI
Sulmuesi shkodran Vioresin Sinani ka mundur të fitojë titullin kampion me fanellat e të dyja skuadrave: me Vllazninë (2000-2001) e Tiranën (2006-2007). Viori ka fituar edhe “Këpucën e artë” me të dy skuadrat: me Vllazninë (2 herë), Tiranën (1).
19. 299 NDESHJE
Nëse do të luajë kundër Tiranës, e për këtë askush nuk ka asnjë dyshim, sulmuesi 31-vjeçar Vioresin Sinani do të luajë ndeshjen e 299-të në kampionat me fanellën e Vllaznisë. Sinani ka shënuar deri tani në 12 sezone me kuqeblutë 168 gola.
20. REKORDI I LICIT
Suad Lici, shkodrani që ka fituar tituj kampionë me të dyja skuadrat, luan prej 14 sezonesh me Vllazninë, që nga sezoni 1992-1993. 35-vjeçari, lojtari më i moshuar i Vllaznisë me fanellën kuqeblu ka zhvilluar 302 ndeshje në kampionat.
21. REKORDI I NALLBANIT
Portieri i Tiranës, Blendi Nallbani, është dhe lojtari më i vjetër në moshë që do të luajë në “Qemal Stafa”. “Tata” është 37 vjeç dhe luan futboll prej 22 sezonesh, nga ai 1987-1988, një karrierë e nisur fillimisht te Partizani. 306 ndeshje në total.
22. “KËPUCA E ART˔
29-vjeçari Memelli në sezonin e parë të tij me Tiranën, kur ka mbetur edhe vetëm një ndeshje për t’u luajtur edhe 90 minuta nga përfundimi i sezonit, ka shënuar 21 gola, më shumë se kushdo tjetër në këtë kampionat. Memelli është dhe golashënuesi më i mirë në Kupë: 8 gola.
23. REKORDET E MEMELLIT
Memelli mban disa rekorde personale e sezonale gjatë këtij edicioni futbollistik: autor i golit më të shpejtë në kampionat pas vetëm 8 sekondash lojë, shënuesi i pesë golave brenda një ndeshje kupe, golashënuesi më i mirë i në Kupë (8 gola) dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit.
24. REKORDI I ABRAHAMIT
Mbrojtësi i Tiranës, nigeriani Abraham Alchevny ka vendosur një rekord unikal në kampionatin shqiptar. Është i pari i huaj që ka fituar tri herë rresht një titull kampion në Shqipëri, dhe për më tepër me tre skuadra të ndryshme: me Elbasanin në sezonin 2005-2006, me Tiranën në sezonin 2006-2007 dhe së fundi me Dinamon në sezonin 2007-2008. 23-vjeçari synon titullin e katërt kampion. Madje në ambientet futbollistike është krijuar anekdota se nëse ke Abrahamin në ekip atëherë e ke të sigurt që fiton titullin.
25. 200 MIJË EURO
Presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka vendosur një shumë prej 200 mijë eurosh në dispozicion të skuadrës për fitimin e titullit të 24-t kampion dhe të dytin në presidencën e tij, që nis që nga viti sezoni 2004-2005.
26. 10 MIJË DOLLARË
Çdo lojtar i Vllaznisë do të përfitojë nga 10 mijë dollarë në rast se formacioni shkodran do të fitojë titullin kampion për herë të 10-të. Shuma është vënë në dispozicion të skuadrës nga presidenti Valter Fushaj.
27. FITORET E THELLA
Tirana gjatë 28 ndeshjeve të fundit nga sezoni 1999-2000 ka arritur të fitojë dy herë me rezultatin 5-1: në sezonin 2003-2004 (28 shkurt 2004) dhe sërish në sezonin 2007-2008 (19.04.2008). Vllaznia ka fituar 4-1, po në në sezonin 2007-2008 ( 28.12.2007).
28. RENDITJA BRENDA
Vllaznia është ekipi që ka grumbulluar më shumë pikë në ndeshjet brenda: 40 pikë në 17 ndeshje. Tirana ka koleksionuar një më pak, por ka luajtur vetëm 16 ndeshje në shtëpi. Elbasani është ekipi që ka marrë më pak pikë në shtëpi: 19.
29. RENDITJA JASHTË
Tirana është ekipi që ka grumbulluar më shumë pikë në ndeshjet jashtë: 26 pikë në 16 ndeshje. Vllaznia ka koleksionuar dy më pak, 24, por ka luajtur vetëm 15 ndeshje në shtëpi. Bylisi është ekipi që ka marrë më pak pikë jashtë: 7.
30. GJYQTARË TË HUAJ
“Finalja” e sezonit 2008-2009 do të drejtohet nga një treshe e gjyqtarësh sllovakë të kryesuar nga Vladimir Herniak. Më parë në Kupën e Shqipërisë kanë drejtuar italiani Stefano Farina (2006), gjermani Babak Rafati (2008) slloveni Dario Ceferin (2009).
E Premte, 22 Maj 2009