E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, -6 nga Dinamo, Apolonia ëndrra nis të venitet

Autori i Lajmit: Redaksia
Tirana mposhti në “Qemal Stafa” 2-0 Shkumbinin, duke u afruar deri në 6 pikë nga kryesuesja Dinamo. Tirana, që vazhdoi serinë e fitoreve nën drejtimin e trajnerit Alban Tafaj, pas asaj me Vllazninë një javë më parë, duket se ka gjetur ritmin e duhur dhe grintën e kampiones në fuqi. Shkumbini nga ana e tij luajti nga minuta a 43-të me dhjetë lojtarë pas ndëshkimin me kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht të kuq të mesfushorit Ilirjan Çaushaj. Me kapitenin Devi Muka të rikthyer në formën optimale, mesfushorin Julian Ahmataj të rilindur dhe anësorin Gjergji Muzaka në momentet e tij më të mira (Ahmataj e Muzaka ishin pjesë e kombinimeve në golat e Jetmir Sefës), Tirana regjistroi fitoren e 5-të në dhjetë javët kampionat. Bardheblutë jo vetëm që e kontrolluan tërësisht lojën, por shënuan dy gola të bukur, me anë të mesfushorit të saj, por tashmë edhe pjesë e kombëtares, Jetmir Sefa. Dy golat e këtij të fundit jo vetëm i kanë dhënë fitoren Tiranës, por kanë shërbyer edhe si një dhuratë për trajnerin kuqezi, Josip Kuzhe, i cili e përcolli ndeshjen nga tribuna VIP.
Shkumbini nga ana e tij dëshmoi se jashtë Peqinit nuk e ka më rrezikshmërinë e nevojshme për një skuadër që kërkon pikë në transfertë ndaj skuadrave të mëdha. Dy fitore të skuadrave vendase, një fitore surprizë e një skuadre udhëtuese, një karton i kuq, dy dopieta, 9 gola të shënuar. Kjo është përmbledhja në shifra e tri ndeshjeve të para të javës së 10-të të superligës, zhvilluar ditën e djeshme. Verdikti i parë i zbuluar i kësaj jave rezultoi të ishte një fitore surprizë e krutanëve të Kastriotit në Fier, ndaj Apolonisë vendase, e cila e ka ndalur tashmë hapin. Meritë e plotë e miqve, që janë gjendur dy herë në disavantazh, por kanë arritur jo vetëm të barazojnë, por të shënojnë edhe golin e tretë e të fitores, në minutat shtesë të fundit të ndeshjes. Ky mund të quhet rezultati surprizë i kësaj jave, nisur nga fakti se fierakët nuk e njihnin humbjen në shtëpi në këtë kampionat, madje po rivalizonin denjësisht për tri vendet e para të renditjes. Përsa u takon dy ndeshjeve të tjera, kanë fituar vendasit. Në Ersekë, Gramozi rikthehet te fitorja, pikërisht kur po kalonte një moment mjaft kritik, i fundit të renditje. Dy gola të elbasanasit Sadiku kanë çliruar nga makthi kolonjarët, të cilët kanë marrë 3 pikë të çmuara ndaj durrsakëve me një ecuri pozitive në këtë fazë të parë. Në këtë mënyrë, Tirana barazon me pikë Apoloninë, ndërkohë që Kastrioti parakalon, falë golaverazhit më të mirë, me pikë të barabarta, Teutën e Durrësit. Bardheblutë shënojnë në këtë mënyrë një ngjitje të admirueshme në renditje, duke pritur me shumë interes kryesfidën e Kavajës, që do të luhet nesër, mes dy kryesuesve, Dinamos së vendit të parë dhe Besës së vendit të dytë. Kujtojmë se diferenca mes bluve dhe verdhezinjve është 5 pikë, në favor të kryeqytetasve. Ndërkohë, sot, do të luhen edhe dy ndeshje të tjera të kësaj jave. Në Vlorë, Flamurtari do të presë miqtë nga Laci, ndërsa në Korçë, Skënderbeu do të presë kuqeblutë e Vllaznisë.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 10

Dje

13:30 Apolonia-Kastrioti 2-3

Sead Hadjibuliç 28’, Albert Kaçi 56’/Orjand Abazaj 42’, Turdiu 63’, Robert Grizha 90’+1

14:00 Gramozi-Teuta 2-0

Armando Sadiku 17’, 25’

14:00 Tirana-Shkumbini 2-0

Jetmir Sefa 52’, 57’

Sot

13:00 Flamurtari-Laçi
14:00 Skënderbeu-Vllaznia

Nesër

13:30 Besa-Dinamo

RENDITJA, JAVA 10

1 Dinamo 9 23

2 Besa 9 18

3 Apolonia 10 * 17

4 Tirana 10 * 17

5 Teuta 10 * 15

6 Kastrioti 10 * 15

7 Shkumbini 10 * 11

8 Skënderbeu 9 10

9 Gramozi 10 * 10

10 Laçi 9 8

11 Flamurtari 9 8

12 Vllaznia 9 7

* Një ndeshje më shumë
Ky lajm është publikuar: 08/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›