Ndalohen 2 shtetas, akuzë për trafikim qeniesh njerëzore
07/02/2009 SARANDË - Policia kufitare e Sarandës ka ndaluar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme dy shtetas shqiptarë, të cilët dyshohen si organizatorë të trafikimit të qenieve njerëzore. Burime zyrtare nga komisariati i policisë së Sarandës pohuan se pas informacionit të marrë në rrugë operative dhe në bazë të planit të masave për goditjen e veprimtarisë kriminale dhe trafiqeve, u kurorëzua me sukses operacioni i koduar “Vazhdimësia”, gjatë të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit G. SH, 39 vjeç, lindur në Pogradec dhe banues në Ksamil dhe S. M. 26 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë. “Dy trafikantët janë ndaluar në afërsi të Butrintit, me automjetin tip “Benz” SR 3685 B, teksa po ndihmonin në mënyrë të paligjshme të kalonin kufirit dy shtetas, kundrejt shumës 1800 euro secili”. Ata janë prangosur menjëherë pasi policia kishte prova të forta për veprimtarinë e tyre të jashtëligjshme. Materialet në ngarkim të dy shtetasve të ndaluar janë dorëzuar Prokurorisë së Sarandës për hetimet e mëtejshme.