Tirana & Vllaznia, “gënjeshtaret” e javës 18

Agron Kaja
Këtë javë vecohen humbja e Vllaznisë me Kastriotin dhe barazimi i Tiranës me Elbasanin. Pretendimet e tyre gjatë merkatos të conin në idenë se do të ishin të "frikshme", gjë e cila të shtunën tregoi anën tjetër të medaljes. Ndërprerja e gjatë prej 34 ditësh solli shumë skena e prapaskena tek të gjitha skuadrat e Kategorisë Superiore. E thënë më qartë, ato ndryshuan shumë nga përbërjet e tyre që kishin deri në javën e 17-të të kampionatit, më 29 dhjetor 2007. Largimet, por edhe përforcimet përzgjodhën ato skuadra që do të rivalizonin Dinamon e Partizanin, por edhe ato që do të bënin "karshillëkun" e tyre në fundin e renditjes. Në këto fokuse ishin edhe Tirana e Vllaznia, të cilat pretenduan se ndryshimet që bënë në merkaton e janarit i kishin dhënë më tepër besim për të kapur objektivin deri në fundin e sezonit. Ndryshe, këto pretendime u shuan, më shumë për skuadrën shkodrane, sepse java e 18-të i nxori shumë zbuluar. Duke e nisur nga Vllaznia, sfida e së cilës me Kastriotin u zhvillua në orën 14:30, u pa një skuadër që jo vetëm nuk kishte ndryshime cilësore nga merkatoja, por me një prezantim më të dobët se fundviti i kaluar. E ardhur nga një fitore e thellë 4-1 në javën e 17-të, Vllaznia mendohej se do ta shkatërronte Kastriotin e ringritur në javën e fundit. Por nuk ndodhi, sepse shkodranët kishin "notuar" me javën e 17-të, e ndoshta me idenë se historikisht ia kanë marrë dorën këtij kundërshtari të vogël. Ndërsa me skuadrën e Tiranës ndodh fenomeni i mospërshtatjes gjithmonë në start. Kështu ngjau në fillimin e kampionatit, ku humbi në Vlorë me Flamurtarin 1-0, e po kështu me Elbasanin, të shtunën, ku barazoi 2-2, por që ishte më pranë humbjes. Prandaj këto dy skuadra e "gënjyen" vetveten këta javë, duke gënjyer njëkohësisht edhe parashikimet që u bënë për ndeshjet e tyre. Por këtë javë duhet thënë se Dinamo e ruajti "lukun" e kryesueses, madje më bindshëm me fitoren në transfertë me Besën. Partizani nuk bindi shumë në Korcë ndaj Skënderbeut, ndoshta se kishte edhe disa mungesa, por mbi të gjitha i mori tri pikët që i duheshin për të vazhduar marshimin drejt kreut. Kështu bëri edhe Elbasani, për të cilin konsideratat e javës janë nga më të mirat, së bashku me Kastriotin e Krujës. Në "vallen" e të dalluarve hyjnë edhe Teuta me Shkumbinin, ku për durrsakët fitorja 2-0 me rivalen në fundin e renditjes, Besëlidhjen, ishte një shpresë e fortë për të larguar zonën e ftohtë. Shkumbini në Vlorë tregoi se është më i fortë edhe pa merkato publicitare.
Vecohen
Fortunat, "Maliqi" i ligjeve shqiptare
Ndoshta është më shumë se një anormali e vendimit të Komisionit të Disiplinës dhe të Apelit në FSHF, të cilët e ndëshkuan me pezullim sulmuesin Herby Fortunat të Besës, që në javën e 16-të, kur ai erdhi nga Finlanda në Kavajë. Duke qenë "xhol" në dy kampionate, Fortunat publikisht qëndronte i pezulluar për javën e 18-të të Superiores, ndërsa në përballjen me Dinamon ai ishte titullar i Besës. Duke e quajtur "Maliq" të ligjeve sportive në Shqipëri, ndoshta lemë të hapur atë cka mund të ketë ndodhur pas kuintave, "kurdisjen e zemrekëve" të FSHF-së dhe të Besës. Ky është një rast i vecantë me futbollistët e huaj, por ndodhin pikërisht tek Besa, e cila ka edhe Dragushën të dënuar, por ndryshon shkalla, sepse atë e ka në dorë UEFA dhe jo FSHF-ja.
Peza, "Non grata" në Vlorë
Dy ditë para fillimit të ndeshjes Flamurtari-Shkumbini, drejtuesit e skuadrës vlonjate e kanë kontestuar gjyqtarin Ervis Peza, por sektori i gjyqtarëve në FSHF ose e bëri veshin të shurdhër, ose kërkonte ta thyente kundërshtinë e vlonjatëve. Para, gjatë dhe pas ndeshjes, "xhaketa e zezë" e sfidës në fjalë mbeti "tabelë qitjeje" për skuadrën vlonjate të Flamurtarit. Para ndeshjes ai nuk u pranua për gjykim, gjatë saj u kontestua për dy penallti që nuk i dha në favorin e Flamurtarit dhe në përfundim të takimit ka debatuar gjatë me drejtuesit e skuadrës kuqezi, duke i quajtur gabimet e tij gjatë lojës si humane dhe të paqëllimshme në dëm të tyre. Por cudia erdhi edhe nga trajneri Magani i Shkumbinit, që e quajti faktor Pezën për tensionin gjatë lojës.
Kastrioti, nga shpërbërja, në fitimtar
Parashikimet e fillimit të ndeshjes Kastrioti-Vllaznia nuk e kishin vendosur si favorite skuadrën krutane, e cila realisht e fitoi takimin me rezultatin 3-1. Sepse ishte një skuadër, e cila një javë më parë diskutohej të shpërbëhej, pas problemeve financiare dhe largimeve të shumta që ishin bërë. Por "lëmshi i shthurur" u mblodh duke marrë në skuadër sulmuesin e Tiranës, Oriand Abazajn, dy mesfushorët nga Elbasani, Sokol Bulkun dhe Eriol Merxhën, të cilët në këtë takim erdhën si fitimtarë. Madje Abazaj shënoi edhe golin e parë zyrtar të vitit 2008, vetëm në minutën e 2-të të fillimit të ndeshjes.
Kotorri, portieri, i "shpuar" më pak
Elvis Kotorri, portieri i Dinamos, është duke regjistruar një rekord të këtij kampionati. Duke mos pësuar gol në takimin Besa-Dinamo, ai qëndron në kuotën e 6 golave të pësuar deri tani, duke lënë pas portierët e Elbasanit me 10 gola të pësuar dhe atë të Partizanit me 11 gola. Golat e pësuar prej tij janë: Në javën e 5-të Dinamo-Flamurtari 0-1, në javën e 6-të Skënderbeu-Dinamo 1-2, në javën e 9-të Dinamo-Tirana 0-2, në javën e 15-të Teuta-Dinamo 1-2 dhe në javën e 16-të Dinamo-Flamurtari 2-1. Flamurtari dhe Tirana i kanë shënuar nga 2 gola, Teuta e Skënderbeu nga 1 gol.