E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana AS fiton Kupën e Shqipërisë për femra

TIRANE- Tirana AS është bërë fituesja e edicionit të parë të Kupës së Shqipërisë në futboll për femra. Skuadra kryeqytetase me president Genc Ymerajn, ka triumfuar 6-0 në finalen e organizuar në stadiumin Selman Stërmasi. Përballë ekipit të Tiranës ishin shkodranet e The Door, që pavarësisht dëshirës, ishin në një nivel më poshtë në përgatitje. Edicioni i Kupës së Shqipërisë këtë vit mban një petk zyrtar, pasi u organizua nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në përfundim, ishte presidenti i këtij institucioni Armand Duka që i dorëzoi Kupën kapitenes së skuadrës fituese Aurora Seranaj, e cila së bashku me Baren ishin dy nga më të mirat në fushë. Duka premtoi se në vitin 2010, ose fillimin e vitit të ardhshëm, futbolli i femrave do të ketë edhe një ekip kombëtar. Ekipet e para të futbollit të femrave në Shqipëri nisën të krijoheshin rreth 3 vjet më parë dhe tashmë ato janë disa të tilla, si Memaliaj, The Door, Tirana, Tirana AS, Jubani, Dardania apo Rubiku. Niveli ende mbetet larg vendeve të tjera, por fondi i posaçëm që jepet nga UEFA për këtë sport, pritet që në të ardhmen të sjellë një masivizim të tij.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›