Kapelo, çadra speciale për lojtarët e Anglisë
ANGLI- Fabio Kapelo është duke provuar gjithçka vetëm e vetëm që të fitojë Botërorin me Anglinë. Pasi vendosi rregulla të forta oër sjelljen e futbollistëve, duke u hequr atyre edhe facebook apo kënaqësi të tjera, tani ai ka kërkuar që lojtarët të flenë në disa çadra speciale para se të shkojnë në Botëror. Bëhet fjalë për çadra me oksigjen më të rrallë dhe që kanë synim t’i përgatisin lojtarët me lartësinë e Afrikës së Jugut, ku do të mbahet Botërori. Sipas asaj që shkruan “Daily Mail”, futbollistët e përfaqësues kanë disa ditë tashmë që i kanë marrë këto çadra në shtëpi dhe janë duke i praktikuar. Ekspertë anglezë kanë qenë në Afrikën e Jugut, në lagjen ku do të qëndrojë e grumbulluar kombëtarja e këtij vendi, për të matur dendësinë e oksigjenit. Sipas tabloidëve anglezë, çdo çadër kushton 340 euro, plus 4100 euro për gjeneratorin, por një e tillë është e mjaftueshme për një muaj. Për të arritur një rezultat optimal, rekomandohet që aty të flihet 8-10 orë gjumë për një periudhë 3-4 javore.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)