E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, KQZ vazhdon sot rinumërimin e votave Basha kryeson

TIRANE- Kandidati demokrat, Lulzim Basha kryeson me 82 vota në avantazh ,ndaj kreut socialist Edi Rama në garën për Bashkinë e Tiranës. Rezultati paraprak i përket rinumërimit të votave të hedhura gabim në 630 kuti, nga 1793 që është në total numri i parashikuar në vendimin e Kolegjit Zgjedhor.

Procesi i hapjes së kutive dhe numërimit të fletëve të kontestuara në 368 qendrat e votimit të Bashkisë Tiranë, filloi ditën e shtunë më 18 qershor dhe do të vazhdojë për 11 minibashkitë e Tiranës.

KQZ do të vijojë sërish sot paradite në orën 10:00 numërimin e fletëve të kontestuara për njësinë 6 dhe 7, që i përkasin KZAZ 50, e KZAZ 51.

Gjatë ditës së djeshme në KQZ u numëruan fletët e kontestuara në kutitë e Njësive 4, dhe 5.

Numërimi bëhet nga 8 grupe njëkohësisht, në të cilat bëjnë pjesë dy punonjës të administratës së KQZ-së dhe nga një përfaqësues i dy forcave politike, PD-së dhe PS-së.

Mbledhja e djeshme e këtij institucioni është shoqëruar ndërkohë me debate të ashpra. KQZ përjashtoi, pas një votimi 4 me 2, dy nga vëzhguesit e PS-së. Sipas Ristanit vëzhguesit thyen rregullat, nga ana e tyre vëzhguesit deklaruan se kanë pasur presioni. Ndërkohë gjatë paradites, me anë të një deklarate për shtyp, KQZ hodhi poshtë akuzat e ngritura nga Partia Socialiste se kodet e sigurisë së kutive të votimit nuk rakordojnë me ato që po hap KQZ-ja. “Nuk ka pasur asnjë ankimim për mospërputhje kodesh. Nëse do të kishte mospërputhje të kodeve të sigurisë për kutitë e votimit, atëherë subjektet politike do kishin bërë ankimim, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur”, thuhej në deklaratën e KQZ-së.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›