E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapelo, Interi heq dorë, ka kontratë të “blinduar”

ITALI- Fabio Kapelo nuk do të jetë trajner i Interit. Ai ishte në majë të preferencave të Masimo Moratit, por pas një dite të mbushur me kontakte dhe tratativa, transferimi është bërë i pamundur të kryhet, për shkak të pamundësisë së trajnerit që të lirohet nga kontrata me Federatën Angleze. Dosja “Kapelo” ishte bërë një nga më të nxehtat e këtyre ditëve, pasi trajneri takoi drejtuesit e Interit Branka e Marbela. Pasi studioi kandidaturën e Andres Vilas Boas dhe pasi ka zgjedhur të mos marrë pjesë në atë që rrezikonte të kthehej një ankand për shkak të interesit të Çelsit, klubi zikaltër kishte vendosur të kërkonte me ngulm trajnerin italian që drejton Anglinë. Por, lidhjet e forta që ka Kapelo me drejtuesit e futbollit britanik, kanë bërë që gjithçka të marrë fund. Edhe pse ata dhanë OK-in për largimin e Franko Baldinit, që në tetor do të bëhet drejtor i përgjithshëm i Romës, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me Kapelon. Interi ndërkohë ka arritur të mbante “gjallë” pistat e tjera, duke nisur nga Hidink apo Spaleti, por edhe Xhanpiero Gasperini. “Nuk di asgjë, flisni me Brankën”, tha Morati për çështjen e trajnerit.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›