Tirana-Vllaznia, 400 mijë dollarë në lojë
Ditët drejt “finales” së 23 majit janë duke u numëruar mbrapsht dhe atmosfera në prag të përballjes së Tiranës me Vllazninë (“Qemal Stafa”, ora 19:00) është ndezur së pari në “kokën” e presidentëve. Të hënën presidenti i Tiranës, Refik Halili, vuri në dispozicion të titullit 200 mijë euro (7 mijë euro për kokë).
Presidenti i Vllaznizë, Valter Fushaj, iu kundërpërgjigj te martën me 10 mijë dollarë për çdo lojtar nëse shkodranët do t’ia dalin të fitojnë kampionatin e titullin e 10-të. Me një llogari të thjeshtë do të thotë se stafet e dy skuadrave së bashku kanë vendosur në tavolinë një shumë rreth 400 mijë dollarë. Në ndeshjet e fundit, Vllaznia barazoi 1-1 me Lushnjë, ndërsa Tirana fitoi në “transfertë” 2-3 me Dinamon, ç’ka solli edhe rokadën në renditje të dy ekipeve. Në javën e 33-të, java e fundit e sezonit, Tirana, kryesuese e kampionatit të 70-të Kombëtar (65 pikë), do të përballet me Vllazninë, duke pasur një pikë më shumë se kundërshtarët kuqeblu.
Lushnja-Partizani, nga Gjyla te...Gjyla
Lushnja-Partizani është supersfida e mbijetesës. Takimi në “Roza Haxhiu” (23 maj, java e 33-të) do të vendosë edhe për skuadrën që do të zbresë direkt një kategori më poshtë. Lushnja ka nevojë për një fitore me 2 gola diferencë ndaj Partizanit, për të zënë një vend në “play-out”. Trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla dhe mesfushori i Partizanit, lushnjari Viktor Gjyla (tre sezone me të kuqtë, 87 ndeshje, 7 gola) do të jenë përballë njëri-tjetrit, por me synime krejt të kundërta. Trajneri Gjyla: “Vetëm ne dhe Partizani kemi luajtur ndershëm këtë sezon. Kemi arritur deri këtu falë djersës sonë. Kundër Partizanit do të luajmë një ndeshje të madhe dhe unë nuk e vë në diskutim që do të fitojmë me dy gola diferencë”. Mesfushori Gjyla: “Është një moment jo i lehtë për mua. Jam lojtar profesionist dhe dëshira ime është të fitojë Partizani. Nga ana tjetër më vjen keq nëse Lushnja bie nga kategoria”. Sulmuesi kavajas i Lushnjës, Dorian Bubeqi (30 vjeç, 7 gola këtë sezon): “Barazimi në Shkodër na ka shtuar shpresat se mund të qëndrojmë në Superligë”. Të kuqtë e Shpëtim Duros kanë tri pikë më shumë, por trajneri i lushnjarëve, Ilir Gjyla, beson se një “Roza Haxhiu” i tejmbushur do t’i frymëzojë djemtë e tij për të fituar takimin e shpëtuar nga rënia.
21 Maj 2009