E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksodi mbërthen Superligën, nga presidentët..te lojtarët

Skuadrat, pa objektiva, u kanë dhënë “pushimet” futbollistëve titullarë. Shumë lojtarë të huaj janë larguar për në vendlindjet e tyre pa kthim

Dash Frashëri

Kur kanë mbetur edhe vetëm 90 minuta për t’u luajtur nga përfundimi i Kampionatit të 70-të Kombëtar të Futbollit, disa nga ekipet e mbetura pa asnjë objektiv këtë sezon kanë nisur dhënien masive të “lejeve” të lojtarëve titullarë, sidomos atyre të huaj, që mesa duket u kanë dhënë fund edhe kontratave me klubet shqiptare. Rezultatet e disa prej ndeshjeve të javëve të fundit kanë qenë të dyshuara si të parafiksuara, madje për njërën prej tyre, Shkumbini-Bylis është hapur edhe një hetim nga Federata Shqiptare e Futbollit. Të paktën edhe tri takime të javës së 33-të duken të “lexuara” nga organika që kanë aktualisht ekipet: Bylis-Dinamo, Flamurtari-Besa apo Apolonia-Shkumbini.
Dinamo (pa asnjë objektiv) do të udhëtojë drejt Ballshit më një version “B(aby)” në përballjen e fundit të sezonit me një Bylis tepër të motivuar për të fituar takimin e mbetur përfundimisht në Superligë. Nga kampionët e sezonit të kaluar thuajse janë larguar të gjithë lojtarët titullarë, si ata të huaj: Graniç, Diop, Nikoliç, Pllumbi, Romero, Ceko, por dhe ata shqiptarë si Allmuça, Brahja e Ferraj, si dhe Sefa e Plaku që i kanë dhënë fund sezonit prej disa javësh. Me Dinamon po stërvitet aktualisht mbrojtësi i Kombëtares, Kristi Vangjeli. Korçari nuk ka rinovuar kontratën me Arisin e Selanikut dhe e sheh të ardhmen midis Anglisë, Gjermanisë e Italisë.
Shkumbini ka humbur në katër ndeshjet e fundit (Dinamon, Vllazninë, Tiranën e Bylisin) dhe të parët e larguar pas dorëheqjes së presidentit Xhavit Ismaili e trajnerit Gugash Magani janë tre lojtarët huaj që u aktivizuan këtë sezon: Cvete Deliovski (mesfushor), Igor Joksimovic (mesfushor) e Ahmet Mujdragic (mbrojtës). Treshja sllave do të mungojë në ndeshjen e fundit kundër Apolonisë. Humbja e “detyruar” e Shkumbinit me Bylisin solli edhe një “sulm” midis presidentit të FSHF-së, Armand Duka dhe ish-presidenti i Shkumbinit, Xhavit Ismaili, të cilët shkëmbyen polemika në distancë në lidhje me tolerimet (e mundshme) të Shkumbinit. Duka gjatë një deklarimit zyrtar për emrin e Kuzhes në krye të stolit të Kombëtares tha: “Disa pseudopresidentë po prishin futbollin. Ne jemi këtu për të gjithë të mirën e sportit, ndërsa ata ikin e vijnë dhe në ndonjë rast e përdorin sportin edhe për gjëra personale”. Ismaili iu kundërpëgji ironikisht: “I uroj suksese Dukës, në krye të Federatës Shqiptarë të Futbollit. I uroj gjithashtu edhe suksese edhe ekipit Kombëtar. Duka harron se ne nuk jemi presidentë, por donatorë”
Besa pa asnjë objektiv të realizuar dhe me një eksod total. Kjo është panorama e klubit verdhezi para javës së fundit të kampionatit kundër Flamurtarit në Vlorë. Tashmë, sipas staticienit të njohur të futbollit kavajas e shqiptar, Fatmir Eficës, Besës i ka mbetur vetëm 20 për qind e kontingjentit që nisi kampionatin. Fitim Haliti, Herbi Fortunat, Liridon Leci, Erjon Xhafa, Sokol Ishka, Artan Sakaj, Emiljano Veliaj u shtohen atyre të mëparshëm Enkel Alikaj (i transferuar te Teuta) Bledar Mancaku, Arbër Abilaliaj, Edlir Tetova (të tre të përjashtuar), Bilal Velia, Driton Krasniqi, Suad Zendeli (të tre të larguar më dëshirën e tyre) si dhe Ilirjan Mërtiri.

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›