Miranda Haxhia sjell “Hirushen e Bllokut”
“Kur qan Hirushja e Bllokut”, titullohet libri i ri me publicistikë i autores Miranda Haxhia, i cili ka dalë në qarkullim këto ditë. Botimi vjen nga shtëpia botuese “Ilar” dhe përfshin shkrimet më përfaqësuese që autorja ka botuar në media të ndryshme shqiptare. Libri ka intervista profesionale me njerëz të rëndësishëm të kulturës shqiptare si shkrimtarët Ismail Kadare, Teodor Laço, Vath Koreshi, Halit Shamata, Meri Lalaj, Flutura Açka, etj. Po kështu, janë speciale të njerëzve profesionalë në punën e tyre si dr.Pandeli Çina, Liri Berisha, Halim Kosova, Isuf Kalo, fotografin Petrit Kumi, gazetari Ardi Stefa, Adi Krasta, etj. Një pjesë të rëndësishme në këtë libër e zënë refleksionet dhe reportazhet e veçanta të autores, të cilat kanë qenë të suksesshme në kohën kur janë botuar në median e përditshme dhe periodike. Teatri dhe Albert Minga, Margarita Xhepa dhe Hekuba, personazhe pa emër si Zhozef Fushèja i politikës shqiptare, Gruaja e deputetit, një mësuese etj. Të gjitha këto e bëjnë librin e autores një prezantim serioz në fushën e publicistikës shqiptare. Po kush është “Hirushja e Bllokut”? Ja se çfarë shkruhet në kopertinën e pasme të këtij libri: “...ky është kobi i madh i një gruaje që vuan mungesën e viktimizimit. Si, vallë, nuk e kupton dot asnjë njeri sindromën e kësaj kaste njerëzish? Është pjesa që duhet izoluar prej shoqërisë. Është grahma e fundit e frymëmarrjes së rrezikshme të ish diktaturës. Është përpjekja e një “bishe të plagosur” që përpiqet të gjakoset me gjakun që u ka pirë të tjerëve. Ajo nuk e kupton se ta veçosh jetën e saj në bllokun e famshëm është po kaq e mundur sa të veçosh xhelatin nga gijotina. Nuk kuptohet njëri pa tjetrin. Kalvari i këtyre lloj njerëzve po bëhet dokishotesk.
Nusja e vogël e djalit të ish diktatorit Hoxha, do të ngjasojë me Hirushen, por ka hundën e shtrigës së përrallës, ka të zezën e hijes së asaj jete kurthesh dhe intrigash që thureshin brenda Bllokut, ka shkopin e urrejtjes e të shpifjes dhe mollën e helmuar të fjalës. Nuk i bën asnjë lloj këpuce në shoqërinë tonë demokratike. Kallëpet e këmbës së kësaj lloj Hirusheje janë të denjë për telenovelën e shpifjes, intrigës, urrejtjes dhe pabesisë së jetës së Bllokut! Na ishte se ç’na ishte! Na ishte një grua që kishte humbur luksin, qetësinë dhe parajsën. Dhe fajëson shiun, pjerrësinë e tij që nuk bie ende prej diamanti në çatinë e saj!”
21 Maj 2009