E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana brenda një viti me sistem të saktë adresash

16/03/2010 Nis puna për vënien e tabelave emërtuese në çdo rrugë

Më në fund merr jetë projekti për pajisjen e çdo rruge, bulevardi, ndërtese, sheshi, parku apo lulishtjeje me tabelat përkatëse informuese. Ky projekt i rëndësishëm do t’u vijë në ndihmë qytetarëve që të lokalizojnë një rrugë, një shesh, një park apo vendndodhjet e godinave të banimit, të cilat gjithashtu do të kenë një numër të caktuar identifikimi.

Gjatë ditës së djeshme kryebashkiaku Edi Rama ka marrë pjesë në nisjen e punimeve për vendosjen e sinjalistikës informuese të rrugëve. Projekti “Adresari për qytetin e Tiranës” do të zbatohet i ndarë në tri pjesë dhe parashikohet të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm. Zbatimi në terren i këtij projekti ka nisur gjatë ditës së djeshme me vendosjen e sinjalistikave në kryqëzimin mes rrugëve “Mine Peza” dhe “Fortuzi”, që konsiderohen si dy akse të rëndësishme për sa i përket zhvillimet demografik dhe urban të kryeqytetit. Aktualisht ka përfunduar faza e parë e projektit, që ka të bëjë me vendosjen në qytetin e Tiranës të tabelave informuese me emërtesat e rrugëve, shesheve, lulishteve, që përfshin në tërësi pasqyrimin e emërtesave për 1306 rrugët e qytetit të Tiranës, sipas standardit të miratuar në godina dhe akset rrugore, në një total prej 3234 tabela. Tabelat informuese do të vendosen në muret e godinave ose në kryqëzime rrugore, sipas një formati të përcaktuar dhe identifikues të përdorur për emrin e rrugës, bulevardeve, shesheve. Sipas Ramës, realizimi i këtyre punimeve do të jetë i kombinuar me projektin e ri të Bashkisë së Tiranës për korsitë e dedikuara të lëvizjes për mjetet publike, ku sistemi i adresave do të lehtësojë ndjeshëm shërbimet publike, sidomos ato të sigurisë publike dhe të ndihmës së shpejtë. “Nga ky projekt përfitohen lehtësi të mëdha të aksesit, por edhe në ofrimin dhe përftimin nga qytetarët në një kohë të shpejtë dhe të saktë të shërbimeve publike, si ato postare, të komunikimit, por mbi të gjitha ato të emergjencave (ambulancë, policia, mbrojtja nga zjarri/zjarrfikëset etj), si dhe ndihmon në përcaktimin e vendndodhjes për kryerjen e shërbimeve të ndryshme publike e private, për shembull: taksitë, postën, shërbimet për dërgesat në banesë”, - ka pohuar Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›