E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana by night rikthehet për të rinjtë në TOKB

 Në skenën e TKOB u rikthye novela koreografike rinore Tirana by night, e cila është një formë e re baleti, ku të rinjtë, do të ngjiten në skenë duke sjellë një performancë ndryshe nga ato që kemi parë deri tani. Me anë të kësaj shfaqjeje u përcoll vizioni i të rinjve, se si sillen brenda një nate në kryeqytet. Vepra Tirana by night, që erdhi në skenën e TKOB jep një mesazh, një amanet, i cili është testamenti i autorit, i cili edhe në momentet e fundit të jetës së tij

 dëshironte ta shihte Shqipërinë të pastër e të integruar në rrugën e zhvillimit evropian. Baleti mban firmën e koreografit Arian Sukniqi, ndërsa pjesa muzikore që interpretohet është marrë nga kompozitori Ermir Dergjini. Institucioni i Teatrit të Operës dhe Baletit e risolli këtë balet në kuadër të projektit "Opera për të rinjtë dhe të vegjlit 2010", që mundësohet falë një bashkëpunimi të TOB-it dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Vitin e kaluar, kur edhe është shfaqur, baleti është duartrokitur gjerësisht nga publiku në salle, veçanërisht nga të rinjtë. Koreografi Arian Sukniqi u shpreh se qëllimi i gjithë këtij realizimi është që të evidentohet se Tirana lëviz dhe se shoqëria jonë zhvillohet. Tani ne jetojmë në një metropol me një mentalitet perëndimor, në të cilin rinia duhet të jetë gjithmonë në kahun pozitiv të kësaj lëvizje dhe t`i bëjë vetë zgjedhjet e saj po në këtë drejtim. Pas suksesit që ky balet pati vitin e kaluar, menduam ta risjellim atë serish, duke u munduar të paraqesim përmes saj Tiranën e tranzicionit", tha  koreografi Sukniqi. Sipas tij "Tirana by night" është një panoramë e gjithë asaj historie se si ka evoluar ky qytet që nga diktatura e deri më sot, gjithmonë e parë në një mënyrë artistike. Sa i përket mesazhit, koreografi shtoi se të rinjve u jepet me këtë rast një mundësi zgjedhjeje, nga ku gjithçka është parë nën një këndvështrim artistik dhe pozitiv, por që sigurisht jo duke i shmangur anët negative që ka sjellë ky ndryshim e ky tranzicion. Thjesht i kemi trajtuar në një mënyrë të tillë duke u lënë mundësi zgjedhjeje të rinjve dhe duke u treguar se përse nuk duhet të zgjedhin anët negative dhe si t`u shmangen problemeve, tha Sukniqi. Skenografia e baletit plotësohej me detaje si kërcimet në rruge, paradat e të fortëve, kalimet me motorrë e kështu me radhë. Me të gjitha këto detaje erdhi në skenë një Tiranë sa më origjinale, me të gjitha të mirat dhe problemet e veta, të cilat mund të konsiderohen si normale për një metropol.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›