E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana dhe Laçi, fate të ndryshme në Europë

24 herë kampionët e Shqipërisë u kualifikuan në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, pasi fituan 1-0 në kohën shtesë me Zalaegerszegi TE, falë një goli të realizuar nga Erando Karabeci në minutën e 107-të. Koha e rregullt kishte përfunduar 0-0. Skuadra e Sulejman Starovës kishte rastin më të mirë në minutën e 93-të për të shmangur kohën shtesë, por sulmuesi Sebino Plaku nuk u tregua i saktë mga pika e penalltisë.

Në turin e dytë eliminator, Tirana do të përballet me holandezët e Utrehtit, ndërkohë po në këtë fazë të Ligës së Europës, Besa e Kavajës do të sfidojë gjigandët grekë të Olimpiakosit. Për herë të fundit, kryeqytetasit ishin kualifikuar për në turin e dytë të një kompeticioni evropian, në edicionin 2006-2007, kur eliminuan në turin e parë të Kupës UEFA kroatët e Vartesk Varazhdinit (1-1, 2-0), por u eliminuan në turin e dytë nga turqit e Kajserisportit (1-3, 0-2).

Ndërkohë, fat të kundërt pati Laçi debutues, i cili pësoi një humbje qesharake 7-1 nga Dnepri ne Mogilev të Bjellorusisë në ndeshjen e kthimit të turit të parë eliminator të Ligës së Europës. Kurbinasit e mbyllin me turp aventurën e tyre të parë në një kompeticion evropian, edhe pse në ndeshjen e parë në “Niko Dovana” të Durrësit barazuan 1-1.

Me një ekip që kishte vetëm 11 lojtarë në fushë dhe 4 në stol, formacioni i ndërtuar nga Stavri Nica pësoi humbjen e dytë më të thellë për një ekip shqiptar në dy edicionet e fundit në Ligën e Europës, përfshirë këtu humbjen 8-0 të Flamurtarit nga skocezët e Madhëruellit vitin e kaluar.

Qëndresa e kurbinasve zgjati vetëm 10 minuta, kur Bychenok çeli goleadën bjelloruse. Yurchenko realizoi një tripletë (17’, 56' , 81'), ndërsa Zenkovich (42’) dhe Chernykh (87’) kompletuan dështimin e Laçit. Valdon Nimani (61’) shënoi golin e flamurit për laçjanët, ashtu siç kishte bërë në Durrës Bledar Marashi. Kapiteni i Laçit, Julian Brahja, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, rrjedhimisht i kuq, në minutën e 72-të, kur rezultati ishte 5-1.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›