E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana e Vllaznia: Jemi të pastër

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, deklaroi sot se ai dhe Tirana është e hapur për hetimin e UEFA-s dhe kërkon që institucioni i futbollit evropian t'i shkojë deri në fund këtij hetimi. Gjithashtu, sipas tij, në rast se do të nxirren përfundime dhe do të mësohet se ndeshja ndaj Stabaek ka qenë e trukuar, përgjegjësit duhet të shkojnë para ligjit.

“Unë jam i hapur për çdo hetim, por mund t’ju them se kjo është edhe një tendencë kundër meje dhe jo klubit Tirana. Por deklaroj me përgjegjësi të plotë se Tirana kurrë nuk ka shitur ndeshje, pasi është skuadra model e futbollit shqiptar", tha Halili.

Presidenti bardheblu vijoi dhe më tej, duke theksuar se "në Shqipëri ka pronarë klubesh që janë njëkohësisht edhe pronarë të kompanive të basteve dhe kjo duhet hetuar". Në lidhje me ndeshjen ndaj Stabaek, Halili shtoi se ai nuk ishte i pranishëm vetë në Norvegji .

”Në Norvegji kemi luajtur me shumë mungesa, duke aktivizuar lojtarë të rinj si, Bici, Pashaj apo edhe Hajdari, pasi kishim të dëmtuar disa nga titullarët si, Muka, Muzaka, Devolli apo edhe Memelli”, përfundoi Halili.

Ndërkohë, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, në reagimin e tij pas publikimit nga UEFA të emrit të Vllaznisë në listën e 6 ekipeve që kanë fiksuar rezultatet e ndeshjeve, u shpreh se “lajmin e mora vesh nga mediat. Është diçka e habitshme. Jemi të qetë për të pritur vendimin. Jemi të pastër. Kemi qenë gjithmonë kështu”.

Përsa i përket humbjes 5-0 me Rapidin e Vjenës, ndeshje që figuron në listën e dyshuar, Fushaj sqaroi se “për shkak edhe të dëmtimeve e mungesave, kemi luajtur me lojtarë 17-19-vjeçarë. Ekipi u mundua të bëjë më të mirën. Përsa u përket dyshimeve, nuk kemi lidhje. Edhe Rapidi i Vjenës humbi 5-1 me Hapoel Tel Aviv në Izrael dhe 3-0 në Vjenë”.

Në lidhje me ndonjë penalizm të mundshëm, nëse dyshimet për shitje ndeshjesh vërtetohen, Fushaj ripërsëriti: “Nuk ka asnjë shkak për të qenë të vërtëta. Jemi të pastër. Delegati i UEFA-s ka bërë raporte pozitive. Nuk kemi pse të shqetësohemi”.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›