Një fitore pa shumë vuajtje për kryesuesit
Pa golashënuesin më të mirë të kampionatit, Migen Memellin (të pezulluar), Tirana arriti t’i imponohet për herë të tretë Apolonisë, duke fituar me rezultatin e pastër 2-0 në “Qemal Stafa” e ruajtur vendin e parë, pas ndeshjeve të javës së 25-të të Kategorisë Superiore. Rekordmenët e Shqipërisë shënuan nga një gol në çdo pjesë, por jo nga vija e parë, por nga zona e mesfushës shkatërruese (Bledar Devolli në minutën e 31-të ) e ajo ofensive (Devi Muka, në të 75’). Si për gjirokastritin Bledar Devolli ashtu dhe për vlonjatin Devi Muka, golat kundër Apolonisë ishin të dytët sezonalë. Në dy takimet e mëparshme kundër Apolonisë, Tirana ka fituar 2-0 (faza e parë në Fier) dhe 3-0 (faza e dytë në kryeqytet), duke mos pësuar asnjë gol në tri takimet kundër fierakëve. Apolonia e drejtuar nga serbo-boshnjaku Esad Karishik, tashmë renditet në vendin e 11-të, në zonën “frigoferike” që të çon direkt në Kategorinë e Parë.