Tirana, 2-3 herë më e ndotur se normat e lejuara të BE
Tirana vazhdon të mbetet një nga qytetet me ajrin më të ndotur në vend, rajon por dhe në botë. Ndotja e ajrit në kryeqytet nga grimcat e pluhurit rezulton 2 deri 3 herë më e lartë se parametrat e Bashkimit Europian. Qendra e Tiranës ka nivelin më të lartë
të ndotjes së ajrit në krahasim me zonat e tjera të kryeqytetit, ndërkohë që niveli i ndotjes i kapërcen rreth 30 për qind më shumë, limitet e caktuara nga BE dhe OBSH. Ndryshe nga herët e tjera, shifrat e larta të nivelit të ndotjes u raportuan dje nga përfaqësuesi i zyrës së OBSH-së, në Bon të Gjermanisë, Majkëll Krizanovski, i cili i ka certifikuar në laboratorin e Vjenës, rezultatet e matjes së ajrit, të kryera nga specialistët tanë të Institutit të Shëndetit Publik. Eksperti i OBSH-së për ajrin në Tiranë tregon se edhe me aparaturat e reja të sapo instaluara në dy pika kryesore Tirana ka ndotje shumë më tepër se parametrat e lejuara. Rezultatet e deritanishme tregojnë 20% deri në 30% më shumë se limitet e BE-së. Megjithatë kërkohet një monitorim më i zgjatur në kohë në mënyrë që të përcaktojmë burimet e kësaj ndotjeje dhe tendencat se si shkon kjo ndotje. Ndotësi më problematik janë grimcat e vogla në ajër, të cilat shkaktohen nga djegiet e ndryshme dhe pluhuri. Si organizatë botërore e shëndetësisë jemi të shqetësuar për këto grimca të cilat ndikojnë në agravimin e sëmundjeve të zemrës, qarkullimin e gjakut dhe uljen e jetëgjatësisë së njerëzve, u shpreh eksperti i OBSH-së për ajrin, doktor Michal Krzyzanoëski. Grimcat e imëta me dimensione më të vogla se 10 mikron që kanë periudha të ndryshme janë ndotësit më problematikë në Tiranë. Ato vijnë nga të gjitha llojet e djegieve dhe nga risuspendimi i pluhurit të rrugës, i cili bën që grimca fare të imëta të transmetohen në distanca shumë të largëta. Sipas të dhënave më të fundit të ISHP-së, një tjetër tregues i ndotjes në ajër është edhe benzeni, i cilësuar gaz kancerogjen, i cili çlirohet nga makinat në trafik. Nga monitorimi i vazhdueshëm i ajrit që kryen ISHP, vihet re një rritje e ndotjes së ajrit edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Sipas specialistëve, në tre vitet e fundit ka një qëndrueshmëri të shifrave të raportuara, çka tregon për mungesën e masave që duhet të merren për përmirësimin e cilësisë së ajrit.OBSH, me fonde te qeverise gjermane ka mundësuar vendosjen e dy aparaturave të sofistikuara për monitorimin e ajrit. Qeveria gjermane vuri në dispozicion 78 milion euro për bashkëpunimin me Shqipërinë çka e çon shumën e ndihmës tonë në 1 milion euro. Ndërsa në harkun kohor prej tre vitesh qeveria gjermane i ka dhënë 250 milionë euro Shqipërisë. Ambasadori gjerman i pranishëm në ceremoninë e përuruimit të aparaturës u shpreh se qëllimi është ndihma kundrejt Shqipërisë, që të rrisë standardet e veta në këtë fushë dhe që të bëhet anëtare e BE-së.
Studimi i ISHP
Vendi ynë është një ndër vendet më të ndotura të Evropës sipas studimeve më të fundit të bëra nga specialistët e mjedisit. Ndotja e mjedisit kryesisht nga transporti është shkaktari i sëmundjeve tek 1500 persona çdo vit në vendin tonë. Të dhënat janë bërë publike nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik të cilët pohojnë se kjo ndotje është më e madhe në zonën përgjatë autostradës Tiranë- Durrës. Por këtë gjë e konfirmon edhe Xhemal Mato specialist i mjedisit, i cili thekson se ndotja për shkak të gazrave të automjeteve është kthyer tashmë në një bombë me sahat e cila mund të shpërthejë nga momenti në moment për qytetarët. Sipas tij ndotja kryesore është ndotja nga grimcat e imëta për shkak të transportit dhe kjo ndotje është tejkaluar mbi normat e BE-së në një masë që shkon deri në 200-300 për qind. ka pohuar specialisti i ambientit Xhemal Mato. Sipas tij, vetëm nga ndotja e ajrit nga pluhurat e imëta në zonën Tiranë-Durrës sëmuren çdo vit 1000-1500 persona. Por edhe studimi më i fundit i Institutit të Shëndetit Publik i kryer në 6 qytete të ndryshme të vendit, ka treguar se shqiptarët tashmë janë të rrezikuar se kurrë ndonjëherë në shëndetin e tyre jo më nga pluhuri i zakonshëm, por nga bloza e dalë nga makinat. Në qytetet më të ndotura në vendin tonë është Tirana, e cila zë vendin e parë si për grimcat e ngurta ashtu edhe për blozën dhe benzenin. "Zonat më të ndotura në Tiranë janë zonat pranë kryqëzimeve, si qendra e kryeqytetit, "21 dhjetori", pika pranë Ambasadës Italiane dhe zona e ish-Bllokut". Sipas specialistëve ndotja e ambientit është 100 mikro gramë për metër kub, që do të thotë disa herë më e lartë se normat e lejuara nga Bashkimi Evropian. Për këtë arsye specialistët bëjnë thirrje për kontroll të rrepte të automjeteve që të mos shkaktojnë ndotje të mjedisit, por në mënyrë të veçantë edhe të karburanteve. Sipas Deliut, Tirana ka nevojë urgjente për gjelbërim si masa ndaj nivelit të lartë të ndotjes.
Sëmundjet
Sëmundjet që shkaktohen nga ndotja e ajrit janë ato të cilat në të shumtat e rasteve kanë të bëjnë me kancerin e mushkërive numri i të cilëve për një vit arrin 1400 raste nga të cilat 150 prej tyre pësojnë vdekjen. Por nuk mbeten më mbrapa sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes kancerit të mushkërive etj. Ajo çka mbetet problematike është se ndotja e ambientit po bëhet një ndër shkaktarët kryesore për rritjen e sëmundshmërisë Polmonare por dhe shkaktimin e kancerit të mushkërive por nga ana tjetër specialistët theksojnë se nga sëmundjet kryesore të cilat shkaktohen nga ndotja e mjedisit janë bronkopneumopatia kronike obstruktve e mushkërive pneumokoniozat të cilat janë të ndryshme sipas llojit të ekspozimit Kanceri i mushkërive Astma etj.