E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, e “sëmura e Shqipërisë”

Bledar KUKA - Që Perandoria Turke e shekullit të 19-të ishte e “Sëmura e Bosforit” e mësuam sapo mbërritëm, bashkë me mësuesen tonë Astritën tek “Petro Nini Luarasi” në faqen e duhur të librit të historisë. Kohët e fundit, pa libër e pa mësues fare, është shumë e lehtë të mësosh se klubi i futbollit i Tiranës është e “Sëmura e Shqipërisë”.

Në gjullurdinë e madhe të Asamblesë së korrikut 2004 (që rrezikon, e shkreta, të mbetet e fundit përfare), u kalua si me lezet një nen në statut që katër donatorët fringo të rinj, Ngjela, Papuli, Halili e Nuri duhej të ishin edhe anëtarë të kryesisë së klubit. Meqë kryesia ka 7 vetë, del qartë se klubi historik Tirana, do të mbetej në dorë të dëshirave dhe vullnetit të kësaj katërsheje.

Sipas burimeve në klub mëson se Asambleja e radhës nuk u mbajt dot në verën e 2008-ës sepse katër donatorët nuk donin. Doja që të konsultohesha me statutin e klubit nëse ishte apo jo e ligjshme kjo lëvizje e shumicës së kryesisë, por më lehtë është të gjesh ujë në Mars sesa të kesh në dorë atë statut. Demokracia tek bardheblutë ka kohë që është zhdukur.

Kur pyet një legjendë si Fatmir Frashëri se përse nuk mblidhet Asambleja apo se përse nuk kërkojnë llogari (kupto: transparencë) nga klubi, ku ai është si shtylla e shtëpisë, të shikon në sy dhe mbetet një çast pa folur. Pastaj nis: “Mos u merr fare me këtë punë se asgjë nuk do të nxjerrësh”. Fatalizmi dhe dëshpërimi i kësaj legjende është mishërimi më i mirë i pafuqisë së sportit shqiptar për të shpëtuar veten.

Pasi u shty e u pengua, më në fund Asambleja duket se u hoq qafe (të paktën kështu pretendohet) nga vendimi i kohëve të fundit të Këshillit të Ministrave për privatizimin e klubeve të futbollit. Tani pritet që vendimi të botohet në Fletoren Zyrtare dhe që kryetari i Bashkisë të caktojë ditën e aksionit të madh, privatizimit.

Pastaj, kreu administrativ i klubit do krijojë një komision për caktimin e vlerës së 30 për qind të aseteve të klubit, nga emri, emblema, trofetë, paraqitja ndërkombëtare, vjetërsia si klub apo të tjera si këto. Do të vlerësohet skuadra, bashkë me shtabin teknik, pronat e paluajtshme etj dhe do të dalë 100 përqindëshi. Pjesëtuar me 100, më në fund do të dalë lepuri nga ferra, pra sa vlen një aksion i klubit, themeli nga do nisë privatizimi.

Në gjithë këtë proces janë lënë jashtë njerëzit e shtëpisë, ata që përbëjnë të ashtuquajturën Asamble që, e thënë popullorçe është një mbledhje familjare për t’i dhënë drejtim problemeve dhe halleve të klubit. Le t’i kthehem edhe një herë Frashërit të madh. “Unë duhet të ta di për nder sepse ti do që të rregullosh shtëpinë time”, - shprehet ai dhe pas pak nis një diskutim të nxehtë me Ali Memën, Nuri Bylykun, Luigj Bytyçin, Bukovikun, madje edhe me Skënder Sallakun që po pinte një kafe me miqtë e vjetër.

Duket se Tirana është kthyer në një pronë ku veç i zoti nuk ka të drejtë të flasë e të vendosë dhe ku mendohet se vetëm paratë e dhëna nga disa donatorë janë vlera e vetme e klubit. Atëherë, e ka kot shteti dhe bashkia që duan të nxjerrin vlerën e titujve, të emrit, të emblemës, të ndeshjeve ndërkombëtare. Këto gjëra pra, janë vlerë, dhe janë krijuar pikërisht nga brezat prej Selman Stërmasit, deri tek Ardian Mema e Indrit Fortuzi. Por këta pronarë nuk dëgjon t’i pyesë njeri.

Zoti do t’i dënojë nëse ekziston

Dikur, në ato kohët e vjetra, njerëzve u bëhej ky kërcënim që ata të mos bënin gjëra të këqija: “Do të të vrasë Zoti, do të shkosh në ferr-xhehenem, do të të bjerë vetëtima”. Me kalimin e kohës njerëzit u zhvilluan dhe ky kërcënim piu gjithnjë e më pak ujë. Por pra si të bëjmë që t’i ndalojmë njerëzit të veprojnë keq.

Ku dua të dal? Mbetem sërish tek Tirana. Sipas informacioneve që kam, ndër të gjithë sponsorët (donatorët) që kanë dhënë kontribut financiar që nga nisja e pluralizmit e deri tani, vetëm atij të fundit fare do t’i njihet ky kontribut. Nëse vendimi i Këshillit të Ministrave do të zbatohet deri në nisje të sezonit tjetër, i bie që përfituesi i madh të jetë z. Refik Halili, kryedonatori aktual bardheblu. Mua nuk ma merr mendja që kjo të ndodhë. Nuk e di, po sikur nuk më kalon poshtë në stomak.

Cilido që të jetë i fundit, është e pamoralshme që të cilësohet si ai “i përzgjedhuri”, sikur të jetë ndonjë profet (na ruaj Zot, mos bëjmë ndonjë mëkat). Përse nuk duhet të jenë të përzgjedhur z. Metush Seferi, Z. Lutfi Nuri, Z. El Sajed (ndjesë pastë) apo të tjerë? Përse ngjyra apo prerja e parave të tyre nuk quhet e denjë për të hyrë në tërësinë aksionere të Tiranës? A nuk iu duket se po bëni një mëkat, për të cilin, në kohët e vjetra do t’u bëhej ky kërcënim që ata të mos bënin gjëra të këqija: “Do të të vrasë Zoti, do të shkosh në ferr-xhehenem, do të të bjerë vetëtima”.

Si të bëjmë me sponsorët

Ndoshta është problem krize, por Dinamo e Zagrebit e ka punën pisk. Siç shkruan “Jutarnji Listi”, sponsorët e saj do të largohen nga klubi më i suksesshëm kroat për shkak të rezultateve të dobët të ekipit këtë sezon. Nuk janë pak, por 16 sponsorë që derdhin shuma të rëndësishme në arkën e të kaltërve. Sa për besueshmëri shkrimi le t’i paraqesim emrat e tyre: HEP, Diners, T-Com, Volksëagen, PBZ Card, Germania, Ina, Croatia osiguranje, PBZ, Soma dolara&marketing, Tehnopanelli, Ban-Tours, Veçernji list, Diadora, King-Cross Jankomir dhe Turistiçka Zajednica Zagreb.

Klubet shqiptarë nuk kanë pse tremben nga krizat e rezultateve sepse ... ata nuk kanë sponsorë, ose kanë vetëm një. Tirana, Dinamo, Partizani, Vllaznia, Teuta mund të fitonin shumë para nëse do të kishin zyrën e marketingut në klub (që nuk ka lidhje me privatizimin, por me konceptin për punën) dhe, prania e këtyre sponsorëve, do ta detyronte klubin ta vlerësonte më shumë mungesën e rezultateve.
Problem nuk janë vetëm sponsorët (apo më mirë, mungesa e tyre). Problem është ndërtimi i strukturës së klubeve. Një klub lider në Shqipëri nuk mund të ketë më shumë se 15 punonjës dhe nga kjo llogari dalin jashtë edhe specialisti i marketingut, edhe zyra e shtypit, madje edhe kur pretendohet për një gazetar që të punojë në kohë të pjesshme me, po themi, 30 000 lekë (të reja) në muaj.

Thuhet se drejtuesit e klubeve kanë bërë projekte (ne nuk kemi parë gjë me sy), por sikur nuk po i dëgjojnë. E ku kanë kohë këshilltarët bashkiakë të merren me këto vogëlsira. Kjo do të donte që krahët politikë të merren vesh për ndonjë gjë, por duket se nuk jemi në këtë stinë të vitit.

E Hene, 12 Janar 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›