Tirana fiton derbin, nis shkëputja drejt titullit
TIRANE-Duhet të ishte ndeshja e konfirmimit dhe në të vërtetë ashtu ndodhi. Pasi mundi 2-1 Milanin të martën e kaluar, Tirana ka arritur të fitojë me të njëjtin rezultat edhe kundër Dinamos në derbin e kryeqytetit të zhvilluar mbrëmë në "Qemal Stafa". Slishkoviç i druhej shumë euforisë pas asaj fitoreje ndaj skuadrës italiane 6 ditë më parë, por në të vërtetë në fushë është parë një skuadër me shumë dëshirë dhe që pa më të voglin dyshim është më e mira sot për sot në Shqipëri. Bardheblutë e nisën ndeshjen e djeshme në sulm, duke realizuar që në minutën e 32-të me Migen Memellin, që i vetëm me portierin Kotorri nuk fal dhe çon tifozerinë e tij në delir. Me këtë gol shkohet në pushim, ndërsa në pjesën e dytë është Dinamo ajo që mundohet të barazojë. Por, është Gjergji Muzaka që realizon edhe golin e dytë në minutën e 51-të. Pas zhvillimeve të një goditje këndi, ish-mesfushori i Partizanit e ka dërguar topin për herë të dytë në rrjetën e Dinamos. Blutë shkurtuan çerek ore para përfundimit pas një gafe të portierit Nallbani. Gjuajtja e Allmuçës nga 30 metra nuk u prit dot nga gardiani bardheblu, megjithëse topi nuk kishte thuajse aspak forcë. Deri në fund, Tirana është munduar të mbrojë rezultatin dhe ia ka arritur, ndonëse Diop rrezikoi në minutën e fundit shtesë.
Trajnerët
Tekniku i Tiranës Blaz Slishkoviç u shpreh mjaft i kënaqur për fitoren e djeshme në derbi, por edhe për lojën dhe atë që tregoi skuadra e tij në fushë. Fitorja e djeshme u dha bardhebluve shkëputjen që ata kërkonin në kampionat. "Jam shumë i kënaqur, pasi më në fund jemi të shkëputur nga rivalët tanë", tha Slishkoviç. "Ndeshja ishte shumë e bukur, duhet ta themi këtë. Unë u mundova të motivoj herë pas here lojtarët e mi, por përballë kishim vërtetë një ekip mjaft të konsoliduar dhe të fortë. Kjo ndeshje edhe mund të barazohej, megjithatë në fund fituam ne", deklaroi kroato-boshnjaku. Në krahun tjetër, Zlatko Daliç u shpreh se skuadra e tij nuk e meritonte humbjen me atë që dha në fushë. "Kjo ndeshje nuk duhet të fitohej kurrsesi nga Tirana, pasi ekipi im u mundua dhe ishte më i mirë, sidomos në pjesën e dytë", tha Daliç. "Megjithatë, futbolli matet me gola dhe jo me lojë dhe golat i shënoi Tirana. Mua më frikëson shumë kjo shkëputje e Tiranës që në këto momente, në kaq pak javë kampionat. Duhet ta kishim ndalur sot, por nuk arritëm ta bënim dot. Gjithsesi, mendoj se barazimi do të kishte qenë rezultati më i drejtë", deklaroi tekniku i kampionëve të vendit.
(d.b/GazetaShqiptare/Balkanweb)