E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria akuzon sovjetikët për agresionin ndaj Çekosllovakisë

Komiteti Qendror dhe Këshilli i Ministrave dënon agresionin rus. Partia Komuniste e Shqipërisë i ofron solidaritet popullit çek

Natën e datës 20-21 gusht të vitit 1986, forcat ushtarake të Bashkimit Sovjetik, RP të Polonisë, RD Gjermane, RP të Hungarisë dhe RP të Bullgarisë, në kundërshtim flagrant me të gjitha normat që rregullojnë marrëdhëniet midis shteteve, në mënyrë të besueshme dhe të pabesë dhe me metoda fashiste, kryen agresionin brutal kundër RS Çekosllovake dhe popullit çekosllovak, duke pushtuar me forcë gjithë territorin e RS Çekosllovake. Ndërsa forcat ushtarake të pushtimit sulmuan dhe shkelën territorin çekosllovak nga shumë drejtime në të njëjtën kohë, udhëheqja tradhtare revizioniste çekosllovake, me Aleksandër Dubçenkun në krye, konseguente në rrugën e tradhtisë së interesave të popullit të vet dhe e tmerruar nga forca e agresorëve, kapitulloi në mënyrën më të turpshme, duke i bërë thirrje popullit çekosllovak dhe ushtrisë së tij që të mos bëjën asnjë rezistencë për mbrojtjen e atdheut të vet kundër forcave ushtarake pushtuese të huaja. Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë dënojnë me vendosmërinë më të madhe agresionin barbar të revizionistëve sovjetikë dhe të shërbëtorëve të tyre kundër RS Çekosllovake dhe popullit çekosllovak, si dhe tradhtinë e kapitullimin e udhëheqjes revizioniste çekosllovake. Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë dhe qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë konfirmojnë se tragjedia çekosllovake e ka burimin në Kongresin e 20-të të PK të Bashkimit Sovjetik, që përmbysi vijën marksiste-leniniste të PK të Bashkimit Sovjetik të Lenin-Stalinit, duke e zëvendësuar atë me vijën revizioniste reaksionare hrushoviane që çoi në gjallërimin e forcave revizioniste edhe në Çekosllovaki, që çoi në rrjedhime katastrofike në vetë Bashkimin Sovjetik dhe vuri në vështirësi të gjithë lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Pushtimi ushtarak i Çekosllovakisë nga ana e revizionistëve sovjetikë dhe shërbëtorëve të tyre është produkt i strategjisë globalizuese i bashkëpunimit të udhëheqjes tradhtare revizio-sovjetike me imperializmin amerikan. Agresioni i revizionistëve sovjetikë dhe shërbëtorëve të tyre kundër Çekosllovakisë është një agresion fashist dhe përbën shkeljen më flagrante të parimeve të lirisë dhe të sovranitetit të popujve. Ky agresion i turpshëm përfaqëson poshtërimin më të madh që i ka bërë klika revizioniste hrushoviane e Brezhnjev Kosiginit nderit dhe prestigjit të Bashkimit Sovjetik e të popullit sovjetik. Pas këtij agresioni askush në botë nuk mund të ketë as më të voglin besim në udhëheqjen revizioniste sovjetike. Ai është paralajmërimi më i madh për popullin sovjetik, për popujt e vendeve socialiste dhe të vendeve që sundohen nga klikat revizioniste, për popujt e Europës dhe të gjithë botës mbi rrezikshmërinë e klikës revizioniste kundërrevolucionare që sundon sot në Bashkimin Sovjetik, mbi qëllimet dhe metodat imperialiste dhe fashiste të saj për sundimin e popujve duke u mbështetur në bashkëpunimin e saj me imperializmin amerikan. Agresioni revizionist kundër RS Çekosllovake, që u krye në emër të Traktatit të Varshavës, vërteton edhe një herë atë që kanë deklaruar prej kohësh Partia e Punës e Shqipërisë dhe qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë se Traktati i Varshavës ka pushtuar së qëni një pakt mbrojtës i vendeve socialiste pjesëmarrëse në të nga agresioni imperialist dhe revanshizmi gjermano-perëndimor. Traktati i Varshavës nga një traktat paqeje, është kthyer në një traktat lufte skllavëruese; nga një traktat mbrojtjeje kundër agresionit imperialist, është kthyer në një traktat agresiv kundër vetë vendeve socialiste. Prandaj Partia e Punës e Shqipërisë, qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe populli shqiptar e dënojnë me neveritje këtë traktat agresiv dhe deklarojnë solemnisht se kushdo që do të guxonte të prekte kufijtë e shenjtë të Republikës Popullore të Shqipërisë, qofshin edhe pjesëtarë të Traktatit të Varshavës, do të marrë përgjigjen e merituar dhe do të gjejë vdekjen e sigurt nga populli shqiptar, i bashkuar si një trup i vetëm rreth partisë dhe qeverisë së tij. Në këto çaste tragjike për popullin çekosllovak, Partia e Punës e Shqipërisë, qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe populli shqiptar i shprehin popullit vëlla çekosllovak solidaritetin dhe përkrahjen internacionaliste më të vendosur. Ata kanë besim në shpirtin revolucionar dhe liridashës të popullit çekosllovak. Ata konsiderojnë se e vetmja rrugë shpëtimi dhe për të rifituar lirinë për popullin çekosllovak është rruga e luftës pa kompromis dhe gjer në fund kundër pushtuesve të huaj revizionistë sovjetikë, gjermanë, polakë, hungarezë dhe bullgarë, lufta kundër imperializmit amerikan dhe revanshizmit gjerman, lufta kundër gjithë revizionistëve dhe reaksionarëve të vendit. Kjo luftë ka për të qenë e vështirë dhe e gjatë. Por është e vetmja rrugë e drejtë dhe e mundshme për shpëtimin e Çekosllovakisë, për mbrojtjen e lirisë dhe të socializmit. Populli shqiptar këtë rrugë ka ndjekur, prandaj ai qëndron sot i lirë e sovran, duke mposhtur planet imperialisto-revizioniste.

Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i Popullit” më 23 gusht 1986
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

29 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›