E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana fundoset, në vendin e parë ngjitet Vllaznia

 

Skuadra e Tiranës fiksoi dje humbjen e dytë në kampionat, duke u mundur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” nga Teuta e Durrësit me rezultatin 1-2. Për bardheblutë, takimi i djeshëm konfirmoi plotësisht krizën e lojës dhe të rezultatit që e ka mbërthyer skuadrën prej disa javësh dhe dje përfundimisht vulosi tronditjen që pësoi klubi në tërësi, pasi tashmë Tirana nuk është në vend të parë, duke humbur në këtë mënyrë kreun e klasifikimit, që pas ndeshjeve të djeshme sheh Vllazninë si kryesuese. Gjithçka ndodhi në harkun e 90 minutave, ku durrsakët e drejtuar nga trajneri Sulejman Starova shkërmoqën në të gjitha pikëpamjet ekipin 23-herë kampion, duke evidentuar të metat e grupit dhe duke thelluar krizën. Ndeshja nisi më mirë për Tiranën, e cila falë kualiteteve të saj, kontrolloi qetësisht mesfushën, por shpejt u pa se, kur nuk shënon ndodh të pësosh. Kundërsulmi i parë për ekipin mik e gjeti skuadrën e Slishkoviçit të papërgatitur dhe një “predhë” e Vilës në minutën e 21-të bëri që të tronditet keqas Tirana. Bardheblutë humbën kontrollin e lojës dhe për më tepër nuk ishin në gjendje të krijonin raste të pastra. Kur pritej nga çasti në çast të barazonte Tirana, ndodhi e kundërta. Një zbritje e shpejtë e durrsakëve konkretizohet me gol sërish nga Emiliano Vila, që në të njëjtin pozicion dhe në të njëjtin stil realizon një eurogol të dytë, i cili bëri të pllakoste heshtja te tifozët bardheblu në “Qemal Stafa”. Në pjesën e dytë Tirana sulmon furishëm falë edhe përgatitjes së mirë fizike, por nuk ia del dot të çajë mbrojtjen mike, e cila vihet krejtësisht në mbrojtje të rezultatit. Në minutën e 77-të Jetmir Sefa ngushton shifrat dhe u jep shpresë kryeqytetasve, por më kot, pasi mbrojtja durrsake është mjaft mirë e vendosur taktikisht dhe e ruajti me fanatizëm fitoren e saj.
Vllaznia-Partizani
Pavarësisht se me shumë sforco, përsëri Vllaznia e drejtuar nga Agim Canaj ka arritur të dalë me kokën lart nga fusha e përbaltur e “Loro Boriçit”. Një fitore minimale 2-1 ndaj rivales së vjetër, skuadrës së Partizanit, dhe një hap fals i udhëheqësve të deridjeshëm të kampionatit, Tiranës, i kanë dhënë vendin e parë Vllaznisë pas ndeshjeve të javës së 13-të. Ka qenë një eurogol i Ndriçim Shtubinës, i cili ka mjaftuar për të fiksuar 3 minuta para përfundimit të takimit shifrat në 2-1. Kuqeblutë kanë treguar edhe një herë se, falë punës dhe përpjekjeve deri në sekondat e fundit mund të arrihet fitorja. Një shtyllë e tronditur nga Nallbani, një presion i vazhdueshëm dhe më pas një gol që vlen tri pikë. Shkodranët në këtë takim kishin hyrë në fushë me petkun e pretendentit përballë Partizanit. Në minutën e 27-të, Xhejms Boadu, pas një harkimi të saktë të topit nga ana e Licit nga e majta, ganezi ka shënuar golin e parë të takimit me kokë. Gol ky që ka qenë i dyti për Boadunë në këto 13 javë kampionat. Të parin e ka shënuar pikërisht një javë më parë me Tiranën. Mirëpo gëzimi i shkodranëve nuk ka zgjatur shumë. Ka qenë një nga lojtarët më të mirët në fushën e lojës për ekipin e kuq, sulmuesi Bakaj, i cili duke përfituar nga rreshtimi i gabuar i mbrojtjes kuqeblu, ka përfituar duke barazuar rezultatin. Shiu i vazhdueshëm dhe fusha e rënduar nga balta kanë penguar shkodranët të gjejnë gjatë pjesës së parë golin e sigurisë. Ndërsa Nallbanin nuk e ndihmoi as kësaj here shansi për të gjetur golin e tij të parë të këtij sezoni. Shtylla i bëhet sërish pengesë kosovarit. Mirëpo atë që nuk e bëjnë shokët e tij, e bën në minutën e 87-të sulmuesi Ndriçim Shtubina. Pas një veprimi të bukur nga e majta, Shtupina gjuan fort dhe gjen trekëndëshin e portierit Shehi, i cili në këtë rast ishte i pafuqishëm për të ndalur gjuajtjen e shkodranit 20-vjeçar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›