Tri vjet burg shqiptares, ekzekutoi të shoqin në Angli
ANGLI - Gjykata britanike dënoi dje me tri vite burg gruan shqiptare Emona Dauti, të akuzuar për vrasjen e bashkëshortit të saj. Vendimi është shpallur dje nga trupi gjykues që shqyrtoi dosjen penale, në të cilën shqiptarja 27-vjeçare Emona Dauti u akuzua se kishte vrarë në gjumë bashkëshortin e saj Elez Dauti, edhe ai shqiptar. Në caktimin e masës së dënimit, gjykata tha se u bazua në faktin se e pandehura pranoi akuzën dhe më pas dha shpjegime se e kishte vrarë të shoqin për vetëmbrojtje. Gjatë marrjes në pyetje në fazën e hetimeve, ajo u tha agjentëve të policisë së Londrës, Scotland Yard, se kishte vrarë të shoqin duke i përdredhur qafën në kohën që ai po flinte. Më vonë, ekspertiza mjeko-ligjore e konfirmoi këtë fakt gjatë përcaktimit të shkakut të vdekjes së viktimës. Elez Dauti, babai i dy fëmijëve, u gjet i vdekur më 2 janar 2008. Pak kohë më pas policia arrestoi të shoqen e viktimës, e cila u akuzua për vrasjen dhe më pas pranoi autorësinë e krimit të ndodhur në qytetin e Mançesterit, në zonën Prestvic. Ndaj të dyshuarës për ngjarjen, policia dhe prokuroria ngritën akuzën e "vrasjes me paramendim". Në momentet e para të hetimit policia pati dyshime se gruaja kishte bashkëpunëtorë, për shkak se sipas ekspertizës kërkohej një forcë e madhe për të realizuar veprimin që ishte kryer me viktimën. Megjithatë këto dyshime mbetën në hije ndërsa fqinjët e çiftit shqiptar deklaruan gjatë hetimeve të policisë, se bashkëshortët kishin kohë që po kalonin një situatë të ndërlikuar mes tyre me konflikte dhe mosmarrëveshje që kishin kaluar jashtë mureve të familjes ku ndodhi ngjarja.