Kategoria e parë/ Skënderbeu i vetëm në krye
Kategoria e parë dje ka luajtur javën e dymbëdhjetë të saj. Katër ishin sfidat më kryesore të kësaj jave; Turbina – Skënderbeu, Pogradeci – Gramozi, Burreli – Laçi dhe Besëlidhja – Dajti. Pra ndeshjet ku luanin skuadrat pretendente. Ka përfituar Skënderbeu, sepse korçarët i kanë bërë mirë hyzmetin ndeshjes në transfertën cërrikase, ndonëse pritej një tjetër reagim. 2-1 kanë fituar djemtë e Renato Rrapos e pas hapit fals të Gramozit në Pogradec, korçarët tashmë janë shkëputur me pesë pikë diferencë. Nisur nga fakti tjetër që Skënderbeu do të presë në shtëpinë e tij, javën e ardhshme, Gramozin, atëherë korçarët jo vetëm që do të mund të thellojnë diferencën në pikë, por do të jenë dhe më të qetë në udhën e tyre drejt kategorisë superiore. Për kolonjarët, edhe pse janë mundur në transfertën liqenore, çka dhe mund të parashikohej, vendi i dytë nuk është cënuar. Kolonjarët u duket si habi humbja në Pogradec, sepse pjesa e parë, pas golave të Dos Santos dhe Islamit, është mbyllur 2-0 për ta. Por pjesa e dytë ka patur tjetër melodi. Jahaj, Kërthi dhe Kamolli janë autorët e golave të Pogradecit, të cilët frenuan Gramozin në këtë transfertë. Sepse Laçi, që mund t’i afrohej kolonjarëve, është mundur në Burrel. Po kështu dhe Dajti, skuadër e cila edhe pse ka qenë në avantazh 2-1 në Lezhë, pas golave të Tonit dhe Bllokut, duket se nuk ka rezistuar dot. Dy gola në fund të Haxhisë dhe Besëlidhja ka marrë një tripikësh të artë. Kjo ishte “vallja” e pretendentëve, të cilën po e “heq” bukur Skënderbeu, i cili ia ka marrë dorën kategorisë së parë. Korçarët nuk e kanë problem të vijnë deri në kategorinë superiore, por “rezistencën” më pas e kanë të dobët. Sa i përket ndeshjeve të tjera, Sopoti ka bërë detyrën në Librazhd, kur ka mundur 2-1 Tërbunin. Dopieta e Shkëlqim Hajdarit ka zhvlerësuar golin e Isufit, i cili ka vlejtur sa për statistikë. Kurse mund të quhet surprizë barazimi i Luftëtarit, në Tepelenë, me Bilisht – Sportin, apo dhe fitorja në transfertë e Skraparit me Naftëtarin. Një fillim i mbarë i trajnerit të ri Edmond Dalipi, i cili ka marrë përsipër ta shpëtojë skuadrën e Skraparit nga rënia në kategorinë e dytë. Përfundimisht Skënderbeu vazhdon të jetë i vetëm në krye të kategorisë së parë.