E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata kërkon besë për ta liruar, "vrasësi" pret venat

 

Gjykata kërkon besë nga familja e viktimës për të liruar nga burgu një 25-vjeçar të akuzuar për vrasje nga pakujdesia, i cili preu venat në paraburgim prej tronditjes nga ngjarja. Ditën e djeshme i pandehuri Shemsi Shaljani pësoi gjendje të fikëti në sallën e gjyqit sapo mësoi se do të qëndronte në burg pa afat. Ndërkohë përfaqësuesi i akuzës pranoi se i riu e ka bërë vrasjen nga pakujdesia gjatë lojës me shokun e tij Ferdinand Gjata, 22 vjeç, i cili humbi jetën javën e shkuar nga një plumb i marrë në bark. Pasi verifikoi se vrasja ka ndodhur pa dashje dhe se i pandehuri ka pësuar tronditje nga ngjarja dhe arrestimi, gjykata i kërkoi avokatit të tij të paraqiste deklaratë të nënshkruar nga familjarët e viktimës se nuk do të hakmerreshin ndaj të akuzuarit, nëse ai lihej në "arrest shtëpie" për të shmangur mbajtjen e tij në paraburgim. Në seancën e djeshme nuk ishte paraqitur asnjë i afërm i viktimës, duke e bërë kështu të pamundur nënshkrimin e "besës" që kërkoi gjykata, e cila më pas vendosi të mbajë në burg të arrestuarin për vrasjen e shokut të tij. Gjatë gjyqit të djeshëm, i pandehuri Shemsi Shaljani pësoi gjendje të fikëti sapo mësoi se do të mbahej në burg dhe u desh hedhja e ujit të ftohtë nga familjarët dhe policët e togës së shoqërimit për ta përmendur. Ngjarja ndodhi dje në Gjykatën e Tiranës, kur gjykatësja e çështjes shpalli vendimin se Shemsi Shaljani, 25-vjeçari që vrau nga pakujdesia shokun e vet, do të qëndronte në qeli deri në përfundim të hetimeve. Në seancën e parë, të procesit për vendosjen e masës së sigurisë, e cila u zhvillua të premten, prokurori i çështjes pohoi se 25-vjeçari Shemsi Shaljani kishte vrarë në dyqanin e vet, në bulevardin "Zogi I", shokun e tij Ferdinand Gjata 22 vjeç, teksa luanin me pistoletë. Arma ishte shkrepur pa dashje dhe plumbi e kishte goditur në trup viktimën. Pas kësaj Shaljani e kishte ndihmuar atë duke e dërguar në spital dhe pas kësaj ishte larguar drejt Beratit ku u kap nga policia. Mbrojtja dhe vetë i pandehuri pohuan se ishte penduar për krimin që kishte kryer nga pakujdesia. Nga burimet e policisë mësohet se 25-vjeçari i arrestuar për ngjarjen, ka tentuar të vrasë veten duke prerë venat, por ndërhyrja e personave të tjerë të familjes dhe më pas policisë, që e arrestoi, bëri që atij t'i shpëtohej jeta. Pasi dëgjoi këto pretendime seancën e së premtes, gjykatësja e çështjes e shtyu shpalljen e vendimit në pritje të një deklarate nga familjarët e viktimës, të cilët duhet të zotoheshin se nuk do hakmerreshin ndaj të riut nëse ai lihej në "arrest shtëpie". Vetëm në këmbim të kësaj deklarate, gjykata do të merrte parasysh rrethanat lehtësuese ndaj të riut dhe do të vendoste një masë më të lehtë sigurie nga ajo "arrest në burg", kërkuar prej prokurorisë. Paraqitjen e kësaj deklarate noteriale e premtoi avokati i të riut, duke pohuar gjithashtu se viktima dhe i pandehuri ishin shokë dhe se krimi ka ndodhur teksa luanin mes tyre me armë. Pas kësaj, gjykata vendosi të shtynte vendimin për ditën e djeshme por nuk u paraqit askush nga familja e viktimës për të nënshkruar deklaratën e "faljes". Pas kësaj gjykata u detyrua të shpallte vendimin për mbylljen e të riut në qeli deri në përfundim të hetimeve, nën akuzat "vrasje nga pakujdesia" dhe "armëmbajtje pa leje". Ai sapo mësoi këtë vendim ra në gjendje të fikëti. Kjo situatë alarmoi policët e togës së shoqërimit që e kishin sjellë në gjykatë atë, ndërsa u desh që familjarët e tij të sillnin ujë për ta përmendur. Duke parë këtë gjendje, mbrojtja e të riut u shpreh se do ta animonte masën e sigurisë në Apel, kohë gjatë së cilës do të siguronte edhe deklaratën e familjarëve të viktimës. Sipas tij, ata kishin pranuar ta falnin të pandehurin, pasi kishin bindje se vrasja kishte ndodhur nga pakujdesia e dy të rinjve.                            fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›