Tirana i dhuron Mitrovicës “Monumentin e Shqiponjës”

Dhurata më unike dhe më e çmuar që ka mundur të bëhet për Mitrovicën, e ka cilësuar kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, “Monumentin e shqiponjës”, të cilën e ka dhuruar kryetari i Tiranës, Lulzim Basha, në kuadër të 100-vjetorit të Shqipërisë, raporton rtk. “Shqiponja” është vendosur në krah të shtatores së heroit kombëtar, Isa Boletini, në Mitrovicë, që është zbuluar më 24 nëntor 2012.
Kryetari Kastrati e ka falënderuar kryebashkiakun Basha për dhuratën tepër të veçantë që ka bërë ai për qytetarët mitrovicas. “Shpreh falënderimin tim më të sinqertë për këtë dhuratë dhe për angazhimin personal të kryetarit Basha për sjelljen dhe vendosjen e “Monumentit të Shqiponjës” në Mitrovicë”.
I pari i Mitrovicës, theksoi se vendi ku është vendosur shtatorja e Isa Boletinit dhe “Monumenti i Shqiponjës”, tashmë janë shndërruar në vend referimi dhe orientimi për mitrovicasit. Tha se vend i tillë do të shndërrohet edhe për të gjithë ata që vizitojnë Mitrovicën.
Ai ka shprehur respektin më të sinqertë edhe për mikpritjen vëllazërore nga ana e kryetarit Basha, gjatë aktiviteteve për shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në Tiranë./Indeksonline/