E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skadon afati, PS: Tani zgjedhje!

Që sot, klasa politike nuk do të flasë më për ultimatume. Në mesditë gjithçka do të ketë skaduar. Dhjetë ditët që opozita i rezervoi mazhorancës si kohë reflektimi për hapjen e kutive të dyshuara të zgjedhjeve të 28 qershorit u konsumuan. Partia Socialiste dhe gjithë mbështetësit e saj nuk do të kërkojnë më hapjen e kutive apo transparencën e zgjedhjeve, por shpërndarjen e Parlamentit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Burime pranë selisë rozë dhe partive të tjera të opozitës konfirmuan se ka një vendosmëri për vijimin e protestave. Të njëjtat burime saktësuan se "nuk ka një datë proteste, sepse duhet të kalojë ajo e datës 8 dhjetor kur Berisha organizon tubimin festiv". Duket se opozitarët nuk duan të kenë përplasje dhe nuk duan të akuzohen për provokim të situatave. "Që nga data 3 dhjetor, nuk do të ketë më kërkesë për hapjen e kutive, por për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme", sqarojnë burime konfidenciale pranë selisë rozë.

Në datën 22 nëntor, në përfundim të protestës para Kryeministrisë, lideri i selisë rozë artikuloi një ultimatum, duke i dhënë dhjetë ditë afat Kryeministrit që të lejojë hapjen e kutive të votimit. Në të kundërt, tha Rama, do të kërkojmë zgjedhje të parakohshme. Në reagimin e tij, shefi i ekzekutivit vlerësoi se opozita nuk mund të vërë ultimatume. Por më pas mazhoranca nisi një strategji të re, atë të sulmit në adresë të kryetarit socialist. Në seancën e ditës së enjte, Kryeministri atakoi Ramën me akuza për jetën private, duke shënuar një fazë të re të krizës politike në vend.

Rama u përgjigj duke e konsideruar Kryeministrin me probleme mendore, ndërsa deklaroi me vendosmëri se opozita nuk tërhiqet nga kërkesa e saj. Sakaq, është përfolur si datë më e afërt e protestës 5 dhjetori, ditën kur mbaron ultimatumi i krerëve vendorë socialistë për decentralizimin e pushtetit vendor, por edhe kjo mbetet vetëm një hipotezë.

Gjatë kësaj periudhe dhjetëditore, Presidenti i Republikës ka shfaqur hapur dëshirën për të bërë rolin e negociatorit, por gjithçka mbetet ende pezull.

Veç kësaj, Kryeministri ka hedhur në tregun e politikës sërish çështjen e mandateve të Partisë Socialiste. Ai është shprehur se nëse 64 deputetët nuk hyjnë në Parlament, atëherë do zbatohet kodi e Kushtetuta dhe do zbritet lista duke përfshirë 64 deputetë të tjerë. Kjo ka dhënë shkas që socialistët ta komentojnë se Kryeministri nuk po bën gjë tjetër veçse se po i shkon rrugës së shpërndarjes së Parlamentit.

Ka zëra brenda së djathtës që i kërkojnë Kryeministrit që të ulë tonet dhe të durojë lidhur me akuzat e opozitës. Presidenti i nderit të republikanëve, Sabri Godo, kërkoi dy ditë më parë që Berisha të hedhë hapat e para të dialogut.

Deri më tani, opozita ka zhvilluar nëntë protesta, më e madhja në Tiranë, në datën 20 nëntor. Opozita qëndroi për rreth 45 orë në sheshin para Kryeministrisë, duke i kërkuar Sali Berishës që të lejojë transparencën e zgjedhjeve. Në mungesë të një reagimi pozitiv, madje duke parë se Berisha nuk u lëkund, PS vendosi afatin dhjetëditor. Më pas, ndryshim strategjie me protesta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›