Berisha: Terroristi Gramoz Ruçi urdhëroi komisionerët të largohen
Kryeministri Sali Berisha ka rënduar dozën e akuzave ndaj drejtuesve të opozitës shqiptare, duke akuzuar numrin dy të socialistëve shqiptarë si terrorist. I pranishëm në një konferencë në Elbasan, kreu i qeverisë ka kërcënuar sërish se do ta mbushë Parlamentin me deputetë të tjerë, ndryshe nga ata që kanë marrë mandatet më 28 qershor, nëse nuk vijnë në sallën e legjislativit. Duke sjellë në kohë përvojën e zgjedhjeve të cilësuara nga ndërkombëtarët si të "manipuluara", pikërisht procesin elektoral të 26 majit të vitit 1996, Kryeministri shkoi larg në akuzat ndaj PS. "Ishte terroristi Gramoz Ruçi, ministri i fundit i Sigurimit të Shtetit, në vitin ‘96, që, me një skenar të kobshëm për vendin, tërhoqi Partinë Socialiste, dy orë para mbylljes së kutive të votimit. Sot, ky punist, me dy tre-pinjollë të bllokut, siç janë Edi Rama e ndonjë tjetër si ky fatziu që shkon në Bruksel për të trilluar për vizat, në traditën e etërve të tyre nuk munden kurrë që të pranojnë votën e lirë. Këta duan pushtet dhe vetëm pushtet. Këta dhe vota janë dy gjëra të kundërta, të papajtueshme. Është mendësia e tyre puniste, ishte punizmi, ai që bëri Gramoz Ruçin t‘i japë urdhrin në vitin ‘96, në orën 4:00, komisionerëve të vet që të largohen nga komisionet. Është punizmi që shtyn Edi Ramën të thotë: o të shkelim vendimet e gjykatave, ose do të rrëzoj qeverinë. Është mendësia dhe mentaliteti punist, por, kësaj here, i ngërthyer me interesat e mafies më të rrezikshme të Ballkanit dhe të Europës, siç është mafia e ndërtimit të Tiranës". Kështu u shpreh Berishës dje në Elbasan drejtuar kreut të Asamblesë së Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Në fakt, deklarata për tërheqjen e të gjithë komisionerëve socialistë është bërë e ditur më 26 maj të vitit 1996 nga Kastriot Islami, i cili në një konferencë për shtyp prezantoi disa nga vëzhguesit e PS-së, të cilët ishin masakruar nga policia e asaj kohe. Votimet e vitit 2006 u ndoqën ngushtë nga vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët nuk i certifikuan. Madje në Shkodër, një eksponent i lartë i Partisë Socialiste Europiane, Zhan Vallen, në atë kohë sekretar i përgjithshëm i PSE, pa me sytë e tij t‘i drejtoheshin tytat e armëve të uniformave blu. Ndërkaq, Berisha, ka justifikuar dje edhe renditjen e Shqipërisë si vendin e fundit në Ballkan për heqjen e vizave, teksa ja ka faturuar opozitës përgjegjësinë. Duke folur nga Elbasani, kreu i mazhorancës ka thënë se opozita ka lobuar kundër liberalizimit të vizave, edhe pse realisht nuk ka dhënë ndonjë fakt por vetëm ka akuzuar një deputet socialist, ekspert i integrimit. Por nga ana tjetër, kreu i qeverisë nuk ka sqaruar se qeveria ka zhvilluar një lobim "ofensiv" në kancelaritë e Komisionit Europian, por edhe të Parlamentit të Europës së Bashkuar. Berisha ka marrë pjesë dje në Elbasan, me rastin e 100-vjetorit të shkollës normale, drejtor i parë i së cilës ka qenë "vigan-liberatori" i madh shqiptar, Luigj Gurakuqi, i cili u vra nga një bandit shqiptar në Bari. Kryeministri ka lëshuar akuza lumë ndaj opozitës për integrimin, por edhe më shumë. Në lidhje me kundërvëniet që mund të pasojnë nga të zgjedhurit vendorë socialistë, Berisha pohoi se të gjithë qytetarët duhet të respektojnë qytetarin e parë të zgjedhur prej tyre dhe se ai do të rrisë bashkëpunimin me krerët e qeverisjes vendore, duke dhënë shembullin e kryeqytetit, që, sipas tij, qeveria ia ka rritur fondet për Bashkinë e Tiranës rreth katër herë.