“Tirana, lokomotivë e fuqishme evropiane,sfida jonë përmbushja e gjithë premtimeve”

Kryebashkiaku Lulzim Basha flet për Ora News
RTV Ora News në vazhdën e intervistave të figurave kryesore politike solli mbrëmjen e së mërkurës kreun e bashkisë së Tiranës Lulzim Basha në një rrëfim të tij për çështjet aktuale dhe sfidat e këtij institucioni përgjatë mandatit të tij si kryebashkiak. Premtimet e fushatës, arritjet dhe zbatimet konkrete të këtij plani në këtë 6 mujor të parë si dhe projektet në vazhdim u shpalosën në një bashkëbisedim me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj. Në këtë bisedë, Lulzim Basha foli edhe për largimin e Gazmend Oketës nga grupi deputetëve demokrat, të cilin nuk e quajti të papritur. Për bashin, surprizë e këtij largimi ishin motivet e servirura nga Oketa
Zoti Basha si ka qenë ky 6 mujor si kryetar bashkie?
Një ndër arritjet e mëdha ishte rregullimi i sheshit, masa e sigurisë në shkolla, hapat e marra në biznes për rritjen e punësimit, por të gjitha këto ja atribuoj një filozofie të re, times, që është shmangia nga konfliktet politike dhe përkushtimi në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe shpresoj që ky do të jetë çelësi i suksesit në vazhdim. Ne punojmë me një plan të detajuar, që nisi me 100 ditëshin e parë, besoj se po ecim në koherence të plotë me planet e premtuara. Së shpejti do finalizojmë planin urbanistik të Tiranës, dyfishimi i Tiranës do të marrë një mbështetje të plotë javën që vjen. Po ecim me shpejtësi edhe në planin ekonomik, realizuam shërbimin me një ndalesë për licencat dhe lejet, çfarë do të ndihmojë bizneset për shmangien e zvarritjeve, duke shkurtuar kohë që i leverdis jo vetëm biznesit por dhe qytetarëve.
Do ndalemi te qendra, do te jetë projekti aktual, verdikti i fundit për Tiranën?
Nuk është ky projekti final, ky fokusohet në tre drejtime, normalizimi i trafikut, ruajtja e punimeve, dhe zhvillimi i mëtejshëm me një kosto sa më të ulët. Jam i vendosur që të ketë ekspertizën më të mire dhe përfshirjen e qytetarëve për planet e ardhshme. Plani do të ketë gjitha parametrat, jo vetëm i këndshëm në sipërfaqe por dhe funksional, do të këtë të gjitha parashikimet. Për momentin sheshi është funksional, zgjidhi problemin e trafikut, por ky nuk është as fundi as fillimi i fundit. Të enjten është konkursi për projektet, do të jetë 100 për qind në dobi të qytetarëve.
A është e vështirë të korrigjohet Tirana, çfarë Tirane do të kemi pas planit?
Plani do ti përmbahet parimeve që kam publikuar, së pari respekt absolut për pronën, së dyti zgjerim të hapësirave publike dhe ruajtjen e hapësirave të gjelbra. E reja është që çdo pyetje do të ketë një përgjigje. Gjithçka është e planifikuar, kjo përqasje është risija, do të sjellë shanse për punësim, por jo në kurriz të një infrastrukture publike.
Pjesë e planit është dhe ideja e një kryeqyteti me shumë qendra, cili është koncepti?
Është një koncept që e shikon qytetin jo zhvillim rreth një poli, por që frymë merr me shumë qendra. Është folur shumë për këtë, por është bërë pak. Ajo çfarë do të bëhet është përcaktim i shtrirë përtej sheshit në tre katër apo pesë qendra, ku qytetarët të ndihen qytetarë në çdo pjesë të qytetit, ku shërbimet ti marrin në çdo zonë. Po shikohet mundësia e vendosjes së institucioneve në zona si ajo e “Fushës së Aviacionit”, në zonën e “Kinostudios”. Diskutimet kanë nisur. Diskutimet janë të hapura dhe do të vazhdojnë dhe për “Shkollën e Bashkuar të cilën shpresojmë dhe mendojmë ta në qendër rinore.
Po “Bulevardi” zoti Basha si do të jetë?
Ky projekt është shekullor dhe ambicia duhet të konkretizohet në vepra konkrete siç është “Bulevardi”, rehabilitimi i lumit të Tiranës por dhe në projekte të tjera si turizmi, shërbimet, me pak fjalë dyfishim i Tiranës. Do të vazhdojë me “stacionin e Tiranës” do të kryqëzohet me “lumin e Tiranës” për të vazhduar pastaj me zonën e Petrelës. Qyteti ka një të kaluar dhe projektet s`do nisin nga hiçi, dhe shpresoj që do të jetë për një kohë të shkurtër.
Po hipotekat, në ç’fazë jemi?
Ky është një premtim që ka nisur të mbahet që në orët e para që kam marrë këtë post, po e ndjekim hap pas hapi në bazë të klasifikimit që i kemi bërë këtij problemi. Besoj që brenda vitit problem i hipotekimit do të jetë i zgjidhur, është një problem sa drejtësie aq edhe ekonomik, që Tirana nuk mund ta lërë jashtë kapitalit të saj 700 milionë euro.
Krahas problemeve të tjera shqetësuese janë problemet në infrastrukturën rrugore, çfarë do të bëhet?
Ky është një problem evident, drejtpërdrejtë i lidhur me cilësinë dhe koston në kryeqytet. Po bëjmë ndërhyrje me tre faza, së pari ndërhyrjet emergjente me fazën e meremetimit dhe e mbylljeve të gropave në rrugë, ndonëse nuk është plan afatmesëm. Janë 93 rrugë që kanë probleme me pesetat dhe gropat dhe ka nisur puna për rehabilitimin. Për buxhetin 2012 kemi vendosur për 40 rrugë të tjera për një rehabilitim më të plotë në një plan afatmesëm dhe së treti është plani urbanistik, që nuk ka vetëm virtytin se ku duhet të ndërtojmë dhe çfarë, parashikon zgjerim rrugësh. Puna ka nisur, mjetet buxhetore dhe jo buxhetore janë në përgatitje. Kjo do të jetë një punë në vazhdim që do të marrë kohë por do të japë një produkt cilësor, nuk do të ketë më arnime siç është bërë deri tani.
Po projekti për Tramvajin, çfarë po bëhet?
Kemi filluar punën me BERZH, në tetor do nisim punën për identifikimin e ndërtuesve me të cilët do të lidhet kontrata. Zona mes spitalit Hygea dhe Kthesës së Kamzës do të jetë pikënisja e tramit. Niveli tjetër është nga Kinostudio në Kombinat. Ka pasur interes të madh nga shumë kompani botërore dhe kjo tregon potencialin e lartë që ka, një infrastrukturë e re evropiane që do të shtyjë në përdorimin e transportit publik.
Financimi i këtyre projekteve është çështje më vete, a ka interes nga Kuvajti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, vende në të cilat ju keni zhvilluar vizita?
Jemi në rrugë të mbarë, nuk është e lehtë të thithësh financime, por nuk bëhet fjalë për bamirësi por është një interes i ndërsjellët. Kuvajti do të vazhdojë me investimet në shesh, me Emiratet kemi diskutuar për lumin e Tiranës, ndërsa me Katarin jemi përqendruar te Bulevardi. Partnerët po presin projektet tona që do të startojnë me projektin për Bulevardin me 8 mars. Së shpejti kjo do të përkthehet në zhvillime të prekshme që do ti japin qytetit një zhvillim të ri.
Vizita Juaj në SHBA pati shumë dyshime, cili ishte qëllimi saj?
Ëashingtoni është qendër e një superfuqie botërore. Afrimi i Tiranës me Ëashingtonin do ti shërbejë bashkëpunimit në fushat praktike, ne kemi shumë për të mësuar prej tyre. Axhendat tona janë shumë të ngjashme, si ato që kanë të bëjnë me biznesin duke bërë që bashkia të ketë një rol aktiv për punësimin. Ne gjetëm përkrahje për një sërë projektesh tona. Vizita kishte si qëllim një bashkëpunim solid dhe përthithje investimesh. Nuk është e lehtë të ndahesh nga një e kaluar ku bashkia ishte më shumë se bashki, e drejtuar tërësisht në axhenda politike.
Të qenit anëtar kryesie ju jep dhe peshë politike, flasim për partinë e Topit, si e shikoni lëvizjen?
Nuk më takon të jem parashikues politik edhe largimi i Oketës pritej. Surpriza për mua ishte që shumë nga çështjet që ngriti mund të ishin ngritur dhe mund të ishin aktualizuar, surpriza është në motivimet e dhëna. Është një vendim i tij. PD ka një histori, ka rregullat dhe ka një të ardhme, po kështu ka dhe hapësira që i ofron çdo kujt mundësinë për të shpalosur planet e veta. Çdo kush ka mundësinë të shprehë mendimin e tij.
I zgjedhur me shumicë votash ju jep kredi edhe brenda PD-së ky fakt?
Jam tërësisht i dedikuar në punët e bashkisë, jam i vendosur të jap rezultat në premtimet e mia. Ambicia dhe sfida ime është realizimi me sukses i këtij misioni që kam marrë.
Ambasadori amerikan ju ka dhënë një vlerësim duke ju cilësuar si një yll në ngritje, si e vlerësoni ju?
Ajo çfarë unë marr është një mbështetje dhe frymëzim, si rezultat i shmangies nga frontet politike dhe vendosjes në plan të parë qytetarin. Kjo më motivon për të ecur përpara, për një Tiranë moderne dhe qeverisje transparente, ku zëri i qytetarit të dëgjohet.
Zgjedhja e Presidentit, cili është opinion juaj?
Qëndrimi i Kryeministrit është fare i qartë, nuk angazhohem në parashikime. Ka një kornizë kushtetuese ku do të mbështetet zgjedhja e tij.
Do jetë Tirana një lokomotivë e fuqishme europiane?
Absolutisht po. Vizioni me të cilin mbështetemi është i drejtë, në një konkurrencë të pastër me kryeqytetet e tjera në Europë. Sfidat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e plotë të gjithë premtimeve.