Tirana, me dyer të mbyllura për tu ruajtur nga spiunët
Prag-Superkupa
Trajneri Rubio teston skuadrën ndaj të rinjve larg syve të mediave e tifozëve
Pasi është lënë pas ndeshja miqësore e Kombëtares ndaj Moldavisë, për të mbajtur të gjalla emocionet e futbollit shqiptar mendon finalja e Superkupës, e cila, të dielën në orën 19:00 në stadiumin Qemal Stafa, do të shikojë të përballen kampioni i sezonit të fundit, Skënderbeu, dhe fituesja e Kupës së Shqipërisë Tirana. Për bardheblutë kjo është një ndeshje e rëndësishme. Dhe këtë nuk e thonë vetëm deklaratat, por edhe lëvizjet e trajnerit të 24 herë kampionëve të vendit, Hulian Rubio Sançez. Tekniku spanjoll ka vendosur të luajë me dyer të mbyllura ndeshjen test të bardhebluve ndaj ekipit të të rinjve. Takimi me ekipin e drejtuar nga trajneri Agustin Kola ishte parashikuar për tu luajtur në orën 17.30 në stadiumin Skënder Halili. Por pak përpara Rubio ka vendosur të ndryshojë vendin e zhvillimit të ndeshjes, duke e postuar atë në stadiumin Selman Stërmasi dhe urdhëroi që dyert e stadiumit të jenë të mbyllura si për tifozët ashtu edhe për gazetarët e interesuar. Por duket se qëllimi kryesor i teknikut spanjoll ka qenë që të shmangë marrjen e informacioneve në prag të supersfidës së Superkupës së Shqipërisë nga ndonjë i infiltruar i Skënderbeut. Rubio duket se kësaj radhe përveç potencialit të skuadrës së tij në duelin me kampionët e Shqipërisë, i beson edhe efektit surprizë. Kështu që nga dyert e Selman Stërmasit nuk ka dalë thuajse asnjë informacion në lidhje me provat taktike që trajneri ka bërë gjatë ndeshjes kundër ekipit të të rinjve. Në dy ditët në vazhdim, Tirana do të vazhdojë përgatitjet, me shpresën se do të mund ti rrëmbejë Skënderbeut trofeun e parë të sezonit të ri 2012-2013.
Tirana, me dyer të mbyllura për tu ruajtur nga spiunët burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip