FSHF pezullon Kamzën, Partizani peng i firmës së Xhanit
Komisioni i Licencimeve të klubeve dje ka zhvilluar mbledhjen e radhës ku janë shqyrtuar problemet që kanë disa klube të ndryshme në prag të sezonit të ri
Nga ILIR CARA
Komisioni i Licencimeve të klubeve në FSHF dje ka zhvilluar mbledhjen e radhës ku janë shqyrtuar problemet që kanë disa klube të ndryshme në prag të fillimit të aktivitetit të ri futbollistik. Në përfundim të kësaj mbledhje komisioni ka dalë me një vendim rreth klubit të futbollit të Kamzës, i cili pwr momentin pezullohet nga aktiviteti. Gjithsesi, ky vendim i marrë që ka të bëjë me pezullimin nuk është i formës së prerë, pasi u lë një afat të shkurtër palëve të përfshira në konflikt që të gjejnë gjuhën e përbashkët, në mënyrë që të shmangin zbritjen e Kamzës në Kategorinë e Dytë. Që nga mbyllja e sezonit të shkuar, kur ekipi zbriti nga Superliga në Kategorinë e Parë, Kamza nuk ka gjetur qetësi, kjo pasi ka një përplasje mes aksionarëve të shoqërisë aksionare, Naim Qarri me 51% dhe Bashkia Kamzë që zotëron 49% të aksioneve. Me një vendim të këshillit bashkiak u shfuqizua shoqëria e vjetër duke krijuar një shoqëri të re me 100% të aksioneve në zotërim të bashkisë. Presidenti Naim Qarri fillimisht i nxori në shitje aksionet, por më pas duke parë lëvizjet e bashkisë krijoi ekipin, që prej disa javësh nën drejtimin e trajnerit Sajmir Malko ka nis punën për sezonin e ri. Por bashkia hapi një proces gjyqësor ndaj shoqërisë së vjetër dhe me 30 korrik u vendos në pezullimin e aktivitetit të shoqërisë së vjetër aksionare KF Kamza dhe menjëherë u krijua shoqëria e re me emrin FC Kamza, ku bashkia zotëron gjithë paketën e aksioneve. Ky dokumentacion është përcjellë nga bashkia e Kamzës në federatë, por ky dokumentacion i ri më shumë prish sesa rregullon punë, pasi duke krijuar shoqëri të re i bie që të krijosh një klub të ri, që duhet ta nisë nga Kategoria e Dytë, kjo edhe për faktin se në federatë mbetet e regjistruar nga sezoni i shkuar KF Kamza e jo FC Kamza. Pra nëse bashkia e Kamzës nuk gjen konsensusin me presidentin Naim Qarri i bie që Kamza të mos përfaqësohet në Kategorinë e Parë, por gjithçka të nisë nga e Dytë nën siglën FC Kamza.
Partizani në rregull me dokumentacionin, mungon firma e Xhanit
Edhe Partizani ka problematikën e tij, e cila është shumë herë më e vjetër se e Kamzës, por në dallim me kamzalinjtë, të kuqtë e kryeqytetit e kanë paraqitur dokumentacionin e licencimit në federatë brenda aftit të caktuar. Aksionari Paro Laçi, i cili para disa ditësh mori edhe besën e ortakut të tij Albert Xhani që të jetë administrator i Partizanit në sezonin e ri, ka përcjellë në FSHF gjithë projketin dhe dokumentacionin e duhur për përfaqësimin në sezonin 2012-2013. Por edhe ky rast ka ngërçin e tij, pasi Partizani nuk konsiderohet i sigurt, pasi rreziku mbetet prezent. Që Partizani të jetë i qetë dhe i sigurt, duhet që Paro Laçi të paraqesë në federatë edhe marrëveshjen mes ortakëve, që ai do të jetë administratori i Partizanit. Ndonëse në parim është arritur akordi, dëshmitar i kësaj marrëveshje mes aksionarëve të kuq ka qenë edhe sekretari i federatës, Eduart Prodani, Albert Xhani ende nuk e ka zyrtarizuar marrëveshjen. Firma e Xhanit është ajo që po bëhet pengesë për licencimin e Partizanit të ri. Komisioni i Licencimeve dje nuk ka marrë ndonjë vendim konkret në lidhje me Partizanin, gjë e cila pritet të vendoset në ditët në vijim, periudhë kohore që i është lënë në dispozicion edhe Kamzës që të reflektojë. Padyshim një gjë është e sigurt, nëse Albert Xhani nuk firmos marrëveshjen e bërë me ortakun e tij Paro Laçi, Partizani rrezikon përjashtimin nga aktiviteti.
Krijohet FC Kamza e re, 100% të aksioneve Bashkia Kamëz
Pas pezullimit të shoqërisë KF Kamza sh.a., me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, krijohet shoqëria e re FC Kamza, e cila ka kapitalin e nevojshëm, stadiumin, stafin drejtues etj. President i klubit të ri do të jetë kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, ndërsa është ngritur edhe stafi drejtues, me drejtor teknik Klevis Dalipin. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim të datës 30.7.2012 ka shpallur pezullimin e aktivitetit të shoqërisë KF Kamza sh.a., duke pranuar kërkesën e Këshillit Bashkiak Kamëz për pezullimin e veprimtarisë së KF Kamza. Ky pezullim erdhi pas vendimit të Këshillit Bashkiak për kalimin e 51% të aksioneve të Qarrit te Bashkisë Kamëz. Ndërkaq është krijuar shoqëria e re FC Kamza, ku aksioner kryesor është institucioni i Bashkisë Kamëz. Nga ana e bashkisë garantohen të gjitha elementet për formimin e një skuadre konkurruese. Kjo, duke parë kapitalin fillestar të shoqërisë së re, stadiumin e qytetit që kap një vlerë prej 350 milionë lekësh, financimin për vitin 2012-2013 prej 40 milionë lekësh të reja, stafin drejtues, me drejtor teknik Klevis Dalipin, mbështetjen e komisariatit të policisë nr. 5, si dhe mjaft asete të tjera mbështetëse për funksionimin sa më të mirë të kësaj shoqërie. Ndërkohë shumë kompani dhe biznesmenë janë ofruar për të financuar klubin ose për tu bërë aksionerë të tij. Bashkia Kamëz ka kontaktuar me një sërë lojtarësh cilësorë për ti bërë pjesë të ekipit, ndërkohë që u bën thirrje edhe lojtarëve të tjerë që të afrohen pranë këtij ekipi. Gjithashtu janë zhvilluar bisedime me një prej trajnerëve më të mirë shqiptarë për të marrë përsipër drejtimin e skuadrës FC Kamza.
Qarri: Bashkia të ulë tonetdhe të mos lëmë kamzalinjtë pa futboll
Presidenti i Kamzës Naim Qarri kërkon reflektimin e Bashkisë në mënyrë që kamzalinjtë të mos degdisen në nivelin më të ulët futbollit shqiptar. Qarri kërkon që bashkia të ulë tonet dhe palët në ulen në bisedime, pasi vetëm në këtë mënyrë Kamza mund të përfaqësohet në Kategorinë e Parë. Presidenti Naim Qarri prej javësh ka nisur punën për Kamzën e sezonit të ri, por ky ekip nuk njihet nga bashkia, e cila pretendon në krijimin e një skuadre të administruar nga ana e saj. Sipas presidentit Qarri palët duhet ta shfrytëzojnë shansin e dhënë nga federata dhe Kamza të vijojë punën në Kategorinë e Dytë. Gjykata ka dhënë një vendim që ka të bëjë me pezullimin e shoqërisë së vjetër aksionere, por ky vendim do të apelohet nga ana ime, pasi parregullistë janë bërë publike që në momentin kur këshilli bashkiak vendosi ndryshimet në paketën e aksioneve, ku unë zotëroj 51%. Ndonëse është marrë një vendim nga gjykata, i bëj thirrje Bashkisë Kamëz të ulë tonet dhe të ulet në bisedime, pasi gjithmonë kam qenë i hapur, kjo vetëm në të mirë të komunitetit futbolldashës. Nuk është mirë që kamzalinjtë ti lemë pa futboll, pasi me atë që ata kanë bërë, i bie që Kamza ta nisë nga zero. Prandaj nëse duam të shpëtojmë futbollin e Kamzës palët duhet të shfrytëzojmë aftin kohor të lënë nga federata dhe të gjejmë zgjidhjen në të mirë të futbollit të zonës,- u shpreh për Sportin shqiptar presidenti i Kamzës, Naim Qarri
