Tirana mundet në shtëpi nga Kastrioti
TIRANE- Tirana ka humbur 0-1 me Kastriotin, në ndeshjhen e parë të fazës së tretë, zhvilluar në stadiumin Selman Stërmasi. Bardheblutë nuk kanë qenë ata ta zakonshmit, duke mos e vënë thuajse asnjëherë në rrezik portën e skuadrës krutane. Ndeshja është vendosur nga një gol i shënuar nga kroati Matko Djarmati në minutën e 13-të të pjesës së parë, pas një ekzekutimi mjaft të bukur të një goditje dënimi. Deri në fund, skuadra kryeqytetase nuk ka mundur të gjejë golin e barazimit, duke lëshuar terren në betejën për Kupat e Evropës. Humbja e lë Tiranën në kuotën e 35 pikëve dhe e largon nga lufta për vendin e dytë, ndërsa një fitore e Laçit kundër Flamurtarit ditën e dielë do t’i vinte në rrezik edhe të tretin. Ndërkohë, takimi tjetër i parashikuar për ditën e shtunë, ai mes Shkumbinit dhe Vllaznisë, u shty për 24 orë për shkak se fusha e Peqinit ka qenë në gjendje të mjeruar. Një tjetër takim i përfolur për t’u shtyrë për shkak të terrenit të Qemal Stafës, ai mes Dinamos dhe Gramozit, do të luhet sipas parashikimeve ditën e dielë, por në fushën neutrale të Krujës. Sfidat e tjera që luhen të dielën janë Besa-Skënderbeu, Teuta-Apolonia dhe Laçi-Flamurtari.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)