Tirana, ndaj Besës luhet sezoni
TIRANE-Kupa e Shqipërisë do të zhvillojë sot ndeshjet e para çerekfinale, ku ajo që bie në sy është përballja mes Besës dhe Tiranës në Kavajë. Për ekipin kampion të vendit mund të quhet ndeshja e një sezoni të tërë, duke qenë se titulli tashmë është një kapitull i mbyllur, pas diferencës prej 19 pikësh me Dinamon. Për bardheblutë sot do të rikthehen një pjesë e titullarëve që munguan në takimin e së shtunës kundër Vllaznisë, megjithatë do të jetë sërish jashtë kapiteni Devi Muka, i cili do të drejtojë skuadrën nga stoli. Kjo do të jetë edhe e reja më e madhe e kësaj ndeshjeje, më e rëndësishmja e çerekfinaleve, duke parë edhe përbërjen që kanë dy ekipet. Besa vjen në këtë ndeshje pas fitores me Kastriotin dhe me një moral të lartë, megjithatë terreni pritet të jetë edhe njëherë problemi më i madh për dy skuadrat në fushën e lojës. Përsa u përket ndeshjeve të tjera, Vllaznia do të udhëtojë në transfertë për t'u përballur me Skënderbeun, një skuadër që javët e fundit ka hasur një mori problemesh. Shkodranët janë favoritë absolutë për të shkuar në gjysmëfinale. Ndërkohë, Teuta do të ndeshet me Gramozin në Ersekë dhe pavarësisht se vendasit kanë një formë të mirë, durrsakët shihen si favoritë, duke parë eksperiencën e tyre të madhe në kompeticione të tilla. Ndërkohë, ndeshja e Dinamos ndaj Shkumbinit, do të luhet ditën e nesërme. Fusha e Peqinit ka rezultuar më e vështira për blutë këtë sezon, duke qenë se humbjen e vetme në këto 20 javë e kanë pësuar pikërisht aty. (d.b/BalkanWeb)