Te ekzekutuarit ne Dajt, PS: Te identifikohen eshtrat
TIRANE- Partia Socialiste reagon ndaj zbulimit te eshtrave te 19 personave ne Malin e Dajtit dhe i kërkon kryeministrit Sali Berisha ndërtimin e strukturave që do të merren me identifikimin e tyre si dhe zhvillimin e një ceremoniali në kujtim të viktimave. "PS i kërkon publikisht Sali Berishës të mundësojë, përmes strukturave të specializuara të shtetit, jo vetëm identifikimin e menjëhershëm të eshtrave të gjetura, por edhe zhvillimin e një ceremoniali të denjë në kujtim të viktimave dhe në nderim të familjarëve të tyre.”- tha sot në një prononcim për shtyp deputetja socialiste Olta Xhacka. Partia Socialiste akuzon Berishën se është personi i cili ka keqpërdorur kauzën e të përndjekurve politikë kur ka pasur nevojë pa i dhënë një zgjidhje. “Vërtetimi i dyshimit se eshtrat e gjetura i përkasin 19 personave të ekzekutuar me pushkatim gjatë periudhës së komunizmit, do i rikthente shqiptarëve një tjetër makth të diktaturës dhe do të përbënte për të gjithë politikën shqiptare një arsye më shumë për të dënuar me vendosmëri, ashtu si edhe në të shkuarën, krimet çnjerëzore të kryera gjatë regjimit komunist. Partia Socialiste fajëson Sali Berishën, si njeriun që për 20 vjet me radhë ka keqpërdorur kauzën e të përndjekurve politikë, duke e sjellë në vëmendjen publike sa herë i është nevojitur, por pa ofruar kurrë një zgjidhje që do të qetësonte shpirtrat dhe do të rikthente krenarinë e atyre që vuajtën një nga diktaturat më të egra në Europë."- deklaroi deputetja socialiste. (s.g/BalkanWeb)