E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kutitë, kusht i patjetërsueshëm

 Tiranë / FierKryetari socialist e cilësoi dje hapjen e kutive si kusht të patjetërsueshëm në tryezën e dialogut. “Hapja e kutive është një kusht i patjetërsueshëm për të patur një hetim të plotë dhe për të garantuar një transparencë të gjithë procesit zgjedhor, në funksion të Kushtetutës dhe ligjit, duke zbërthyer të gjithë elementët që e përbëjnë procesin. Ne nuk duam të hapim kutitë për të përmbysur pushtetin në tavolinë. Ne duam të hapim kutitë për të hetuar procesin dhe përmes hetimit të procesit, të plotësojmë të gjithë kuadrin kushtetues për një hetim parlamentar me të gjitha aspektet, të cilat duhet ta shqetësojnë dhe vënë në lëvizje Parlamentin e vendit kur bëhet fjala për të trajtuar këtë çështje dhe për t’i dhënë zgjidhje një sërë problemesh që dalin nga hetimi”, u shpreh dje Rama gjatë një konference për shtyp në selinë e Partisë Socialiste. Kreu socialist tha dje se po lufton që një zgjidhje e tillë të arrihet. “Unë bashkë me gjithë ata që janë sot në opozitë dhe që kërkojnë një zgjidhje historike nuk e presim, por luftojmë që ajo të ndodhë, që nëse ndodh do të jetë arritje e rëndësishme. Por ne do të vazhdojmë që kjo të ndodhë”, u shpreh Rama. Por sipas kryetarit socialist, deri në arritjen e këtij qëllimi opozita do të përgatitet dhe për protestat e ardhshme nëse negociatat për hetimin e zgjedhjeve dështojnë. “Për këtë hetim kërkojmë transparencën e të gjithë procesit, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Nuk ka asnjë arsye në botë që Qeveria të pengojë popullin e vet në kërkesën për transparencë dhe populli nuk mund të mbajë në kurriz një qeveri të padrejtë”, u shpreh Rama. Kreu socialist tha dje se niset sot për në Strasburg ku do të takojë me “miqtë e Partisë Socialiste Evropiane”. “Nesër nisem në Strasburg për takim me miqtë e Partive Socialiste evropiane, të cilët janë në kontakt të vazhdueshëm e thellësisht të angazhuar për të dhënën kontributin e tyre në zgjidhjen e krizës” deklaroi Rama nga selia rozë, duke shtuar se do në ditët që kanë mbetur do të vazhdojë gjithashtu komunikimin me të gjithë aleatët e frontit opozitar. FierDje pasdite, kryetari socialist zhvilloi një tryezë bashkëbisedimi me gazetarët në qytetin e Fierit, ku shoqërohej dhe nga deputetët e këtij qarku. Rama u shpreh se për hetimin e zgjedhjeve do të kërkojnë hapjen e kutive, për të hetuar si votat ashtu edhe materialet zgjedhore. “Ka arsye për të hetuar votat, listat, procesverbalet si dhe për të parë në këto komponentë se nëse deformimet e procesit kanë qenë të pavullnetshme apo të qëllimshme. Një nga pjesët me të rëndësishme të këtij korrupsioni qëndron tek korrupsioni i administratës zgjedhore. Kjo është arsyeja përse kutitë ne i shohim të pandara në kuti votash apo materialesh”, u shpreh Rama. Edhe dje në Fier, kreu i PS-së tha se mandatet e deputetëve socialistë nuk do t’i lihen në dorë Berishës. Duke folur për tryezën e Presidentit, Rama tha se ajo nuk do të jetë një Pazar shkëmbimesh, por vetëm kërkesë për hetim të zgjedhjeve. “Hipotezat e bëra për negociata që konsistojnë në shkëmbime pozicionesh e mallrash, nuk hyjnë në filozofinë tonë dhe kanë të bëjnë me këtë proces, sepse ne nuk duam të kthejmë pas kohën në 28 qershor, duam të shikojmë përpara. Ne hetojmë të shkuarën për të garantuar një gjë që vjen në të ardhme”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›