E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset: Kuvendi të miratojë ligjin

Gjykata Administrative vijon ende të mos funksionojë, si pasojë e bllokimit të ligjit në Kuvend. Kur kanë mbetur edhe një javë nga mbyllja e Parlamentit, bizneset kanë shprehur shqetësimin për neglizhencën nga ana e deputetëve, që nuk mundën të miratonin ligjin për gjykatën. Dëshpërimi bëhet akoma e më i madh kur mëson se, në ditën e fundit të Kuvendit nuk është parashikuar miratimi i ligjit, duke e shtyrë atë pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Shtyrja e afatit do të krijonte mangësi në shqyrtimin e çështjeve administrative që bizneset kanë me tatimet. Në këtë mënyrë, 11 organizata përfaqësuese të biznesit u bënë thirrje dje të gjitha grupeve parlamentare që të votojnë projektligjin për Gjykatën Administrative në seancën plenare të datës 11 maj 2009. "Shprehim keqardhjen që ky projektligj nuk është përfshirë në kalendarin e punës për seancën e datës 11 maj, duke rrezikuar miratimin e këtij ligji", u shpreh Genc Boga, i Dhomës Amerikane të Tregtisë. Në mbështetje të miratimit të ligjit, organizatat e biznesit janë përfshirë këto ditë intensivisht në disa tryeza bisedimesh me përfaqësues të opozitës dhe mazhorancës në nivel politik dhe ekspertësh, ku është vërejtur se përfaqësuesit e pozitës janë treguar të hapur për pranimin e vërejtjeve të opozitës dhe të biznesit. Për hartimin e ligjit ka dhënë mbështetje edhe USAID në kuadër të fazës së dytë të Programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë. Në tryeza të ndryshme, ekspertë të USAID kanë shprehur shqetësimin për vonesat e miratimit të ligjit. Gjykata Administrative parashikon të shkurtojë afatin e shqyrtimit të çështjeve që bizneset dhe individët kanë me shtetit. Sipas ligjit, vendimet nga gjykata do të merren nga ekspertë të fushës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›